E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e PDI për Fierin, KQZ vendos për pavlefshmërinë

 

ADI SHKEMBI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr sot në shqyrtim kërkesën e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, pjesë e koalicionit të djathtë “Aleanca e Ndryshimit” për të shpallur të pavlefshme katër qendra votimi në qarkun e Fierit. Ndërkohë gjatë ditës së nesërme, Kolegji Zgjedhor nis shqyrtimin e ankimimeve të bëra nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, për qarkun e dytë më të madh pas Tiranës, i cili prodhon 16 deputetë.
KQZ
Pasi vendosi të premten të marrë në shqyrtim kërkesën e PDI-së, për të shpallur të pavlefshme katër qendra votimi në qarkun e Fierit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton sot pretendimet e kësaj force politike. Partia për Drejtësi dhe Integrim paraqiti një kërkesë për pavlefshmëri në katër qendra votimi (3185, 3188 dhe 3196 në komunën Libofshë dhe 3006 në Bashkinë Fier). Sipas kësaj force politike, qendra 3006 ka pasur fletë votimi të grisura, 3196 me fletët pa kundrafletë dhe qendrat 3185 dhe 3186 me vendim të QV-së të mos hapen. Në total këto katër qendra votimi i kanë dhënë koalicionit “Aleanca e Ndryshimit” 424 vota, koalicionit “Bashkimi për ndryshim” 1189 vota, ndërsa koalicionit “Aleanca Socialiste për Integrim” 330 vota. Sipas një llogaritje hipotetike, nëse KQZ do të vendosë sot të pranojë kërkesën e PDI-së për të shpallur të pavlefshme këto katër qendra dhe pasi ato të zbriten nga rezultati përfundimtar, rezulton që koalicioni i PD-së të ketë 7 deputetë, koalicioni i PS-së 8 deputetë, ndërsa koalicioni i LSI-së 1 deputet. Aktualisht sipas tabelës së miratuar më 13 korrik nga KQZ-ja, koalicioni i djathtë ka gjashtë deputetë, koalicioni i PS-së 9 deputetë dhe LSI 1 deputet.
Kolegji Zgjedhor
Nga ana tjetër Kolegji Zgjedhor, instanca më e lartë ligjore për zgjedhjet, do të nisë nga dita e nesërme shqyrtimin e dy forcave të mëdha politike për sa i përket qarkut të Fierit. PD ka kërkuar nga Kolegji të shpallë të pavlefshme gjashtë qendra votimi, në të cilat sipas saj janë kryer një sërë shkeljes ligjore. Konkretisht në qendrat e votimit 3185 dhe 3186 sipas PD-së, votat u numëruan pa praninë e komisionerëve të saj. Në qendrën e votimit 3185, koalicioni i PD-së ka marrë 78 vota, kurse koalicioni i PS-së 200 vota. Ndërsa në qendrën e votimit 3188, koalicioni i PD-së ka marrë 93 vota kurse koalicioni i PS-së 327 vota. Në të njëjtën kohë, PD-ja ka kërkuar shpalljen e pavlefshme edhe të qendrës së votimit 3006, në të cilën sipas saj janë gjetur 390 fletë votimi të grisura. Në këtë qendër, koalicioni i PD-së ka fituar 187 vota, koalicioni i PS-së 312 vota dhe koalicioni i LSI-së 23 vota. PD-ja i ka kërkuar Kolegjit Zgjedhor shpalljen të pavlefshme edhe të tre kutive të votimit në komunën Portëz në Fier (3119; 3120; 3121), në të cilat më 28 qershor nuk u votua. Nga ana tjetër Partia Socialiste ka depozituar një ankesë ku i kërkon Kolegjit të heqë nga rezultati përfundimtar tabelën e Komunës Ruzhdie, në të cilën koalicioni i PD-së ka fituar 475 vota, ndaj 33 votave të koalicionit të PS-së. Por Kolegji Zgjedhor gjatë kësaj jave pritet të shqyrtojë edhe disa ankesa të tjera që kanë të bëjnë me qarkun e Beratit, Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit.

Rezultati në qarkun e Fierit

Aleanca e Ndryshimit   
Aleanca Demokratike        432
Bashkimi Liberal Demokrat    82
Lidhja Demokristiane        50
Partia Agrare Ambiental.        1,766
Partia Aleanca e Maqedon.    32
Aleanca për Dem. e Sol        103
Partia Balli Kombëtar        695
Partia Balli Kombëtar Dem.    112
Partia Demokracia e Re         151
Partia Demokratike        56,293
Partia e të Drej. të Moh.        132
Partia Forca Albania        38
Lëvizja e Legalitetit        2,769
Partia Ora e Shqipërisë        96
Partia për Drej. e Integrim    4,681
Partia Republikane        3,807
SHUMA                71239
Aleanca Socialiste për Integrim   
Lëvizja për të Dre. e  Lir.        147
Lëvizja Soc. për Integrim    10,861
Partia e Gjelbër            38
Partia për Mbro. Drej.Emig.    21
Partia Soc. e Vërtetë 91        369
Partia Toleranca e Re        13
SHUMA                11,449

Bashkimi për Ndryshim   
Partia Bash. Drej.e Njeriut    531
Partia Demokracia Sociale    1007
Partia G 99            1,210
Partia Socialdemokrate        3,271
Partia Socialiste            85,732
SHUMA                91752

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›