E Diel, 1 Nëntor 2026

PDI: Kolegji të veprojë në mënyrë të paanshme

 

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, akuzon Partinë Socialiste se ushtroi presion ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë mandatin e nëntë. Në një prononcim për mediat, Muhedini i kërkon Kolegjit Zgjedhor që të marrë një vendim në mënyrë të paanshme dhe pa u ndikuar nga fakti që PS-ja është një forcë e madhe politike. “Ne shikojmë që KQZ në trysninë e Partisë Socialiste i dha mandatin PS. Mandati sipas Kodit Zgjedhor i takon PDI-së, unë mendoj që ka ikur koha e shantazheve dhe presioneve, po shikojmë që po bëhen prapë presion karshi Kolegjit Zgjedhor. Ne e kemi ankimuar këtë problem në Kolegjin Zgjedhor dhe besoj se ai do të marrë një vendim të paanshëm, pavarësisht se ne jemi forcë e vogël politike, dhe PS është forcë e madhe, nuk duhet të ndikohet nga madhësia e partisë, por mendoj që duhet të japë verdiktin që i takon”, tha Tahir Muhedini, kryetar i PDI-së. Muhedini thotë se kësaj force i nevojiteshin vetëm 22 vota për të marrë deputetin e dytë në Fier, por sipas tij situata ndryshoi pasi në KZAZ-në e Patosit ka ndërhyrë gjatë numërimit, anëtari socialist i KQZ, Artan Laze. “Në KZAZ-në 19 në Patos, ka ardhur anëtari i KQZ Artan Laze, në mënyrë private, dhe donte të hapte kutitë e votimit me forcë. Hoqi katër komisionerët që kishin marrë vendim që të mos hapen kutitë, vunë katër komisionerë të rinj, përdorën lloj-lloj metodash”, vijoi Muhedini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›