E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do luftoj gjithë jetën që 16-vjeçarët të votojnë

Kreu i mazhorancës Sali Berisha ka inauguruar sot rikonstueksionin e shkollës së mesme profesionale “Karl Gega”. Kryeministri u shpreh se gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike është faktuar se, “për ne, arsimi është gjëja më serioze e këtij kombi dhe këtij vendi”.

Këtë Berisha tha se e bazon në rindërtimin e 1300 shkollave dhe rritjen e pagës së mësuesve me 120-140% krahasuar me vitin 2005. Për mandatin e ardhshëm ai premtoi se paga e mësuesve do të shkojë në 700 dollarë.

“Sot nuk largohet kush nga arsimi, për të gjetur diku tjetër një punë më të mirë, siç ndodhte më përpara. Sot, arsimi është një proces shumë serioz. Puna e arsimtarit, një detyrë e kërkuar. Por ne nuk do të ndalemi me kaq. Ne do të vazhdojmë dhe unë ju garantoj se gjatë mandatit të ri, rroga e arsimtari do të jetë 700 dollarë. Ne përparësojmë rrogën tuaj, sepse asgjë nuk ka më të rëndësishme për Shqipërinë e shqiptarët sesa gara e dijes, sesa vendosja e Shqipërisë në shinat e dijes”, u shpreh kreu i PD-së.

Por gjatë fjalës së tij, Berisha nuk foli për punësimin e të rinjve por për rritjen e numrit të studentëve për banorë.“Shqipëria kishte në vitin 2005, një ndër nivelet më të ulëta në botë për përqindjen e qytetarëve të diplomuar në universitete, vetëm 3.4 për qind. Ndërkohë që bota e qytetëruar, këtë përqindje e kishte nga 25 në 32 për qind. Raportet e institucioneve ndërkombëtare faktojnë se në vitin 2000, Shqipëria, një komb me tre milionë dhe me përqindjen më të lartë të të rinjve në Europë, diplomoi gjithsej 6 mijë të rinj e të reja në universitetet e saj. 25 mijë u diplomuan vitin që kaloi. Askush nuk duhet të ketë frikë nga diplomat, por dhe të bëjmë gjithçka pe të ecur drejt cilësive gjithnjë e më të mëdha”, tha kryeministri.

Berisha e mbylli fjalë ne tij duke thënë se këto zgjedhje 16-vjeçarët nuk do të kenë mundësi të votojnë por u zotua se do të luftojë gjithë jetën e tij, gjersa 16-vjeçarët të kenë të drejtën e votës. A e vuajnë 16-vjeçarët mungesën e kësaj të drejte? /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›