E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon ligji, gjoba të trefishta për duhanin

Qytetarët që do të pinë duhan në ambientet e ndaluara rrezikojnë të gjobiten nga shteti. Dështimi i Ligjit Antiduhan, që synon ndalimin e pirjes së tij në ambiente publike, sidomos në lokale ku situata është edhe më problematike, ka bërë që specialistët të mendojnë për një mënyrë tjetër gjobitjeje, që mund të jetë më efikase. Kështu, në pamundësi për të ndëshkuar subjektet abuzuese të ligjit, specialistët propozojnë vendosjen e gjobave të trefishta për duhanin, njërën nga të cilat do të duhet ta paguajnë edhe qytetarët që kapen duke pirë cigare në ambiente të ndaluara. Tashmë specialistët do të propozojnë që gjoba, përveç menaxherit apo pronarit të lokalit, t’i adresohet edhe personit që e konsumon atë në ambientet e ndaluara. “Sot ligji ka pasur mungesë neni në dënimin edhe të menaxherit të lokalit. Do të dënohet edhe personi më i lartë në atë institucion kur shkon inspektoriati, edhe personi që thyen ligjin, - tha Roland Shuperka, specialist i antiduhanit. Ndërsa kryeinspektori i Anglisë për duhanin, Joan Gray, në një takim të organizuar dje në Institutin e Shëndetit Publik për këtë çështje, ka vlerësuar ligjin shqiptar duke insistuar se duhet të jenë menaxherët e lokaleve ata që duhet të ndëshkohen. “Të gjobiten menaxherët apo drejtuesit e lokaleve, që ligji të bëhet funksional. Janë ata që nuk duhet të lejojnë konsumimin e duhanit në ambientet që zotërojnë”, - tha Joan Gray, kryeinspektor i Anglisë për duhanin. Një prej faktorëve, që ligji kundër produkteve të duhanit ka dështuar, pretendohet të jetë shpërndarja e madhe e kompetencave. Për këtë arsye, drejtori i ISHP-së, Enver Roshi, propozon që gjobat të hartohen dhe vilen nga i njëjti institucion. Deri tani inspektorët sanitarë hartonin gjobat, kurse policia bashkiake duhet t’i vilte ato dhe deri tani nuk e ka kryer këtë mision, duke lënë kështu shumë gjoba të pa mbledhura. “Jemi duke rimodeliuar funksionet e Inspektoriatit të Lartë Shëndetësor, i cili duhet të jetë si një trupë e vetme, me përqendrim të të gjitha funksioneve në një trupë të vetme të inspektoriateve sanitare. Kërkohet një koordinim më i mirë i policisë bashkiake e asaj komunale, që bëjnë të mundur të eliminohet duhanpirja dhe të minimizohet në ato vende ku është e mundur”, - deklaron Enver Roshi. Në Ditën Kundër Produkteve të Duhanit, ekspertët e duhanit kanë rikujtuar se tymosja shkakton mbi 25 sëmundje dhe në botë renditen mbi 5 milionë vdekje në vit nga duhanpirja. Nëse konsumimi i duhanit vazhdon me këto ritme, parashikohet që vdekshmëria nga përdorimi i tij të dyfishohet në vitin 2030. Ligji kundër duhanit në vendin tonë, ndonëse vlerësohet si shumë i mirë edhe nga ekspertë të huaj, nuk zbatohet dhe asnjë prej lokaleve ku nuk lejohet duhani nuk gjobitet. Deri më tani të gjitha tentativat për të ndaluar duhanpirjen kanë dështuar si pasojë e mosfunksionimit të një sërë institucionesh. Sipas specialistëve, ligji ka dështuar për faj të moszbatimit të tij nga institucionet përkatëse. Madje, edhe në rastet kur inspektorët kanë dalë për kontrolle, për të aplikuar sistemin e gjobave në bare dhe restorante, e kanë pasur të pamundur t’i vjelin ato, pasi nuk kanë gjetur mbështetjen e pushtetit vendor, i cili është institucioni që duhet të merret me mbledhjen e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›