Projektligji, rishikohen titujt e pronësisë në zonat e përmbytura
Rishikohen titujt e pronësisë për zonat e përmbytura. Nisur nga problematika që ka pasur kompensimi i tokave në zonat e përmbytura nga ndërtimi i HEC-ve në kaskadën e Drinit, Ministria e Bujqësisë ka përgatitur një projektligj të ri, i cili synon rishikimin e të gjithë titujve të pronësisë për zonat në fjalë. Kështu, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për shqyrtimin e vlefshmërisë të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, që do të diskutohet së shpejti në kuvend, parashikon që subjektet e përfitimit të tokës bujqësore në pronësi dhe të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, janë persona fizikë dhe juridikë dhe janë të vlefshëm vetëm kur janë të krijuar; në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr 8053, datë 21,12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore, në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin nr. 225 të datës 2.8.1995, të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore” të ndryshuar, nga zbatimi i vendimit nr 306 datë 30.06.1994 të Këshillit të Ministrave “Për masat që do të merren për zonat e përmbytura nga ndërtimi i H/C në rrethet Kukës, Has, Tropojë, Pukë dhe nga zbatimi i vendimit nr. 413 datë 27.7. 2000 të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin e problemeve të ngritura nga familjet që u janë përmbytur tokat nga ujëmbledhësi i H/C të Fierzës”. Duke iu referuar projektligjit, për vendimet për pavlefshmëri të pjesshme, e cila vjen si shkak i mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka bujqësore është ende në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, sipërfaqja shtesë, por jo më shumë se 10% e sipërfaqes që i takon subjektit i ofrohet këtij subjekti kundrejt pagesës, e cila llogaritet sipas hartës së vlerës së tokës së AKKP-së së miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Edhe procedura e njoftimit dhe mënyra e pagesës së detyrimit financiar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas projektligjit në fjalë, për vendimet për pavlefshmëri të pjesshme, e cila vjen si shkak i mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka bujqësore nuk është në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore, lëshuar në kundërshtim me ligjin, por ai nuk e posedon më tokën në mënyrë të plotë ose të pjesshme, si pasojë e një transaksioni apo shpronësimit për interes publik, lind detyrimi për sipërfaqen përkatëse të tokës së shitur dhe të kryhet pagesa. Kjo e fundit bëhet sipas hartës së vlerës së tokës së AKKP-së, përcaktuar me VKM, për sipërfaqet e trajtuara si rezultat i transaksionit, me vlerën e kompensuar për sipërfaqet e tjetërsuara si rezultat i shpronësimit për interes publik.