Përjashtimi dhe rregullat në ditën e provimit
Maturanti duhet të paraqitet në mjedisin e provimit një orë para fillimit të tij. Në këtë kohë kryhet identifikimi i tij, hyrja në mjediset e provimit, sistemimi i tyre nëpër vende si dhe leximi i rregullave që duhet të respektojë secili prej tyre. Nëse testi që i jepet kandidatit është i dëmtuar ose ka faqe të bardha, maturanti ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin tij. Maturanti duhet të përdorë stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu, dhe vizore e kompast vetëm në provimin e Matematikës. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit para kohës së përcaktuar nuk duhet të dalin nga mjedisi më herët se sa 30 minuta para orarit të përfundimit të provimit. Ata grumbullohen në një sallë brenda mjedisit ku po zhvillohet provimi. Në rast se kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ka të drejtë të informojë, për parregullsinë e konstatuar tek administratori i provimit, përgjegjësi i administrimit si dhe përfaqësuesi i drejtorisë arsimore. Gjithashtu, kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar Komisionit të Maturës Shtetërore pranë çdo drejtorie arsimore. Nuk mund të hyni në provim nëse: nuk jeni në listat e AVA-as; nuk jeni të pajisur me dokument identifikimi; keni telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi. Ju përjashtoheni nga provimi kur: nuk qëndroni në vendin që ju është caktuar; merrni informacion nga të tjerët; u jepni të tjerëve informacione; merrni kopje; jepni kopje; komunikoni me maturantët e tjerë; bëni komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së plotësimit; mbani telefon celular, radio dhe çdo mjet tjetër të ngjashëm.