Ngadalësohet rritja e çmimeve në Eurozonë
Të dhënat zyrtare paraprake nga Eurozona treguan se, çmimet konsumatore në muajin maj kanë ndalur ritmin e rritjes së tyre, po janë në nivel të lartë përmbi kufirin e Bankës Qendrore europiane, ndërsa papunësia ka qenë e pandryshuar në muajin prill. Zyra Europiane e Statistikës, Eurostat, vlerësoi se inflacioni në bllokun me 17 anëtarë u rrit me 2.7% në normë vjetore për muajin maj dhe vlera është më e ulët se norma 2.8% të regjistruar në muajin Prill. Më herët, analistët e tregjeve shprehën opinionin për pandryshueshmëri në 2.8% të inflacionit për muajin maj. Ndërkohë banka qendrore europiane konsideron normën 2% si kufi të inflacionit në terma afatmesëm. Presioni inflacionist në eurozonë u rrit ndjeshëm, për shkak të çmimeve të lëndëve të para, duke detyruar bankën qendrore europiane që në fillim të muajit prill të rrisë me 0.25%, në 1.25%, normën bazë të interesit. Shumica e analistëve presin që kosto e borxhit në Eurozonë të rritet përsëri në mbledhjen e Bordit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane, që do mbahet në javën e parë të muajit korrik. Ndërsa për papunësinë, eurostat tha se ka qenë e pandryshuar në 9.9% në muajin prill. Zyra europiane e statistikës bëri të ditur se norma nuk ka ndryshuar, pavarësisht përmirësimit të tregut të punës në gjermani, Francë dhe në Itali. Eurostat tha se 15.529 milionë qytetarë janë të papunë në eurozonë për muajin prill ose 115 mijë më pak se në mars, dhe 457 mijë më pak se një vit më parë.