E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do mbajmë premtimet e bëra, infrastrukturë në çdo lagje

Kryeministri Berisha ka vijuar prerjen e shiritave të inaugurimit të rrugëve të reja. Dje ai ka qenë në një nga lagjet e Tiranës në Laprakë ku ka inauguruar ndërtimin e 13 rrugëve të brendshme të kësaj lagjeje, të cilat kanë gjatësinë prej 7 kilometrash. Së bashku me Kryeministrin Berisha ka qenë edhe ambasadori italian, Saba D‘Elia, pasi rrugët janë realizuar falë financimit të Koperacionit Italian prej 3 milionë eurosh. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare ka përshëndetur dhe falënderuar investitorët italianë, të cilët bënë të mundur ndryshimin e imazhit të Laprakës. "Shpreh kënaqësinë që ne festojmë së bashku fitoren dhe këtë projekt të ri e dua t‘ju informoj ju dhe mbarë shqiptarët se këto 4 vite ne do të vazhdojmë të festojmë fitoren në çdo fshat dhe qytet të këtij vendi me projekte të reja", është shprehur Berisha. Më tej, ai ka theksuar se çdo ditë dhe çdo javë do të inaugurojmë fillim punimesh dhe përfundime punimesh të rrugëve, ujësjellësve dhe kanalizimeve, të shkollave, sistemeve të vaditjes dhe shërbimeve të ndryshme dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri ditën e fitores së ardhshme më 2013. "Është e qartë si drita e diellit, se ky vend ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë, se ky vend ka nevojë për rrugë dhe ne po i ndërtojmë, ka nevojë për shkolla dhe ne po i ndërtojmë, ka nevojë për ujësjellës-kanalizime dhe ne po i ndërtojmë, ka nevojë për shërbime dhe ne po i ngremë ato, ka nevojë për turizëm dhe vjen gjithnjë në rritje, Shqipëria ka nevojë për zhvillim dhe ne së bashku pikërisht këtë po bëjmë", ka theksuar kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›