E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, sot shpallet rezultati përfundimtar për 28 qershorin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Vendimmarrje me rëndësi të tillë parashikojnë një votim 5 vota pro që të zyrtarizohet, por për shkak të vendimeve të mëparshme kur janë shpallur mandatet për çdo qark, vendimi pritet të merret në unanimitet të plotë nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në dokumentacionin që pritet të miratohet sot në mbledhje janë bërë llogaritë përfundimtare nga ku del se Koalicioni Aleanca e Ndryshimit i cili kryesohet nga Partia Demokratike ka fituar 712.745 vota ose 46,92% e barabartë kjo me 70 mandate në Kuvend. Koalicioni Bashkimi për Ndryshim ka marrë 688.748 vota ose 45,34% e përkthyer në 66 mandate. Koalicioni Aleanca Socialiste për Integrim ka marrë 84.407 ose 5,56% e përkthyer në 4 mandate. Për të vijuar me një tjetër koalicion, Poli i Lirisë, i cili ka marrë 27.655 ose 1,82% e përkthyer në 0 mandate. Kjo është panorama e tabelës përfundimtare të zgjedhjeve sa u përket koalicionit e që duke mbledhur shumën e mandateve plotësojnë numrin e deputetëve që do të jenë në Parlamentin e ardhshëm. Sakaq, KQZ zyrtarizon edhe numrin e votave që ka marrë secila parti. Partia Demokratike ka marrë 610.463 ose 40,18% e përkthyer në 68 mandate. Aleati i dytë që ka marrë më shumë vota është Partia Republikane me 31.990 vota ose 2.11% e përkthyer me një mandat. Pas PR renditet Partia për Drejtësi dhe Integrim me 14.477 vota ose 0,95% e përkthyer në një mandat. Tri partitë e tjera që kanë marrë vota të konsiderueshme është PAA me më shumë se 13 mijë vota, PLL më shumë se 10 mijë vota. Ndërsa koalicioni Bashkimi për Ndryshim kryesohet nga Partia Socialiste. Ajo ka marrë e vetme
620.586 ose 40,85 e përkthyer në 65 e ndjekur nga PSD me 26.700 ose 1,76% e përkthyer në 0 mandat. Më pas vjen PBDNJ me 18.078 vota ose 1,19% e përkthyer në një mandat. Pas kësaj, partie renditet G99 me më shumë se 12 mijë vota dhe PDS me 10 mijë vota.
Në dokumentin që pritet të miratohet sot, KQZ vëren se në përfundim të procedurave ankimore dhe kalimit të afateve ligjore të ankimit në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor, KQZ mbi bazën e rezultatit të votimit për çdo zonë zgjedhore, në mbështetje të nenit 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor, përllogariti shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, si dhe kandidatët fitues për çdo parti politike. Pas shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, si dhe në përfundim të procedurave ankimore dhe kalimit të afateve ligjore të ankimit në Kolegjin Zgjedhor, në mbështetje të nenit 21, pika 8, neni 2, pika 18, KQZ shpall me vendim rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Rezultatet

PD
"Aleanca e Ndryshimit", i cili kryesohet nga Partia Demokratike ka fituar 712.745 vota ose 46,92% e barabartë kjo me 70 mandate

PS
"Bashkimi për Ndryshim", i cili kryesohet nga Partia Socialiste ka marrë 688.748 vota ose 45,34% e përkthyer në 66 mandate

LSI
"Aleanca Socialiste për Integrim", i cili kryesohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 84.407 vota ose 5,56% e përkthyer në 4 mandate


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›