PDK: Kryesia i propozon Këshillit Kombëtar mosnjohjen e zgjedhjeve
PDK ka mbledhur dje kryesinë për të analizuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve të deformuara të 28 qershorit. Sipas PDK-së, duke analizuar faktet e mbledhura rezulton se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, dhe rezultati i tyre nuk shpreh vullnetin real të votuesve shqiptarë ndaj nuk duhet të njihen. Në këto zgjedhje, sipas kryesisë së PDK, humbësit më të mëdhenj ishin votuesit shqiptarë, demokracia e brishtë, standardet dhe pluralizmi politik. Kodi Zgjedhor ishte i imponuar nga dy partitë e vjetra. Sipas kryesisë së PDK, fushata zgjedhore u zhvillua nën trysni të jashtëzakonshme. Një tjetër moment kritik që deformoi rëndë rezultatin e zgjedhjeve ishte procesi i numërimit të votave. Kryesia e PDK-së ka vendosur që në fillim të shtatorit të mbledhë Këshillin Kombëtar për të analizuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe situatën e re politike të krijuar.