Konfindustria: Biznesi po vuan nga regjimi i vizave
Edhe pse premtohet për liberalizim vizash dhe ndryshim kushtesh, situata vijon ende të jetë problematike për shqiptarët. Më së shumti, regjimin e vizave për të udhëtuar drejt BE-së e vuajnë bizneset, të cilat kryejnë një volum të madh tregtie drejt këtyre vendeve. Bizneset industriale kërkojnë nga qeveria që të ndërhyjë për liberalizmin vizave, të paktën për kategori të caktuara, në të kundërtën, të vendoset një raport reciprok. Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare dhe vendimmarrjes politike në përgjithësi, që në një kohë sa më të shpejtë, krahas me vazhdimin e punës për plotësimin e të gjithave kushteve të kërkuara nga Bashkimi Europian për liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen, njëkohësisht të konsideroj vendosjen e sistemit të njëjtë të reciprocitetit të pajisjes me viza për qytetarët e vendeve të BE, deri në heqjen përfundimtare të dyanshme. Nga sistemi i sipërpërmendur të bëjnë përjashtim qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian me kombësi shqiptare. "E paraqesim këtë kërkesë nisur nga shqetësimet e vazhdueshme të industrive vendore për vështirësitë në pajisjen me viza udhëtimi për arsye pune të personelit të tyre për në vendet e Bashkimit Europian, që kanë shkaktuar mjaft probleme dhe kosto shtesë dhe kur dihet se shkëmbimet tregtare me këto vende zënë mbi 80% të totalit të tregtisë së Shqipërisë", thotë Gjergj Buxhuku, administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë. Një tjetër arsye lidhet për vendosjen e reciprocitetit të sistemit të vizave me vendet e Bashkimit Europian është edhe vendimi i korrikut 2009 të Brukselit për të lënë në radhën e fundit Shqipërinë krahasimisht me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen. Konfindustria, në kërkesën e saj për vendosjen e reciprocitetit të sistemit të vizave Shqipëri-Bashkimi Europian ka parasysh edhe përvojën e ndjekur nga vende të tjera të rajonit, që sot janë anëtare me të drejta të plota të BE-në.