E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: CEZ nuk ka kërkuar ende rritje të çmimit

Zyrtarisht, pronarja e OSSH, kompania çeke CEZ, nuk ka kërkuar ende rritje të çmimit të energjisë elektrike. këtë fakt e konfirmoi dje Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE), sipas të cilës, afati i fundit për të paraqitur kërkesën e aplikimit të tarifave të reja është fundi i muajit shtator. Teorikisht, nisur nga rezultatet dhe situata energjetike, CEZ mund të kërkojë rritje të çmimit, por edhe ulje të saj. Kjo lidhet me faktin e parashikimeve klimaterike për vitin e ardhshëm, pra të prurjeve të lumenjve, si dhe të importit. Në rast se OSSH ul humbjet më shumë se janë aktualisht dhe rrit arkëtimet, justifikimi për rritje tarifash bie poshtë. Të paktën këtë e përcakton kontrata e firmosur mes palëve dhe Deklarata Rregullatore, e cila do të mbikëqyrë raportin dhe situatën energjetike për tre vitet e ardhshme.

Pavarësisht teorive, faktet flasin për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2010. ERE parashikon një ndryshim të lehtë në varësi të kategorisë që preket, kurse qeveria do të hartojë një plan masash për të subvencionuar shtresat sociale në nevojë. Vetë Banka Botërore, institucioni që ka asistuar procesin e privatizimit të OSSH-së, ka paralajmëruar një rritje të detyrueshme, të paktën mbi 10 për qind.

Aktualisht, tarifa mesatare e energjisë elektrike drejt konsumatorit final është rreth 8.4 lekë për kilovat, nga 4.5 që ishte gati dy vjet më parë. Pas privatizimit, CEZ kërkoi një rritje të lehtë, por qeveria negocioi për t‘i mosndryshuar tarifat, të paktën për këtë vit, kur afati i fundit ishte data 31 mars. Kur kanë kaluar tre muaj nga marrja në kontroll të OSSH nga çekët, nuk dihet asnjë rezultat zyrtar mbi treguesit ekonomikë të kompanisë.

Drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë bëjnë të ditur se metodologjia që do të ndiqet në shqyrtimin e kërkesës për rritjen e çmimit do të jetë e njëjtë me atë të përdorur gjatë viteve të mëparshme. Sipas tyre, nga momenti i dorëzimit të kërkesës për rritjen e çmimit, i gjithë procesi, përfshi këtu zhvillimin e seancave dëgjimore me të gjitha palët e prekura, do të mbyllet deri në mes të dhjetorit, me qëllim që tarifat e reja të energjisë të hyjnë në fuqi më 1 janar 2010.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›