Berisha: Do mbetem në politikë, derisa të vdes
Bushi (i vjetri) më foli për Kosovën në vitin 1992. Presidenti Bush në vizitën e Tiranës më pyeti nëse mjaftonin dy javë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kam raporte shumë të mira më kryeministrin Thaçi. Rruga që do ta lidhë Kosovën me Shqipërinë është një gjë e jashtëzakonshme. Po e pres përfundimin e saj, që të vij në Kosovë. Gjuha shqipe duhet të rishikohet. Nëse nuk më thërret i Gjithëfuqishmi, do të mbetem në politikë edhe për 35 vjet. Kryeministri, Sali Berisha, flet për “Express”
A është e vërtetë se nuk keni qenë shumë optimist për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë?
Jo, e vërteta është kështu: Dola në konferencë për shtyp dhe thashë se rusët kanë paraqitur një dokument, të cilin nuk ka shqiptar që mund ta nënshkruajë...
A keni pasur kontakte me Delegacionin në Rambuje?
Të vazhdueshme...
Dhe...?
Dhe... unë deklarova se çdo njeri që do ta firmoste atë dokument, do të mbetet me damkën e tradhtisë kombëtare. Pastaj, se ç’ndodhi dhe u tërhoq dokumenti. Por, ç’ndodhi pastaj? Ideologjikisht dhe jo-ideologjikisht u shpalla si njeri që shtyva firmosjen. Por, ai dokument ishte një tradhti kombëtare. Po të bëje atë, ishte si të firmosje kapitullimin. Bëra një formulim dhe natyrisht akuzova ambasadorin e palës ruse.
Partia Socialiste, që është partia e dytë më e madhe në Shqipëri, nuk e fitoi dot simpatinë e kosovarëve. Megjithatë, ishte një kryeministër i Shqipërisë, gjatë kohës së luftës, Pandeli Majko, i cili është i vetmi që në Kosovë shihet me simpati. Si e vlerësoni ju rolin e tij gjatë luftës?
Tërësisht pozitiv. Fillimisht argumentet ishin të ndryshme. Ekzistonin fobi nga më të ndryshmet. Por, ky, për aq sa ishte kryeministër, ishte nga më pozitivi që do të kishin. Më kërkuan edhe mua që të formulonim disa teza të përbashkëta të luftës, më të cilat në fillim nuk isha pajtuar, meqë shprehnin disa pikëpamje antikombëtare. Më vonë, me ta, ne firmosëm një platformë të përbashkët, dhe këtë e bëmë në hotel “Rogner”.
Fatin e tij nuk e ka pasur Fatos Nano, në Kosovë. Ai kishte pasur një takim në vitin 1997 me Sllobodan Millosheviçin në Kretë. Ndoshta është fajtori kryesor pse socialistë shqiptarë dhe liderët e tyre asnjëherë nuk kanë mundur të kenë doza simpatie në Kosovë. Si e vlerësoni atë takim? Aty, ai edhe kishte bërë një deklaratë të pamatur...
Po, jam dakord. Ishte një deklaratë e pamatur, në ndikim të të tjerëve. Në qoftë se Fatosi do të takohej me të, me miratimin e udhëheqjes politike të Kosovës, kjo përbënte ndryshim. Por, që të takohej me të pa këtë miratim ishte një gabim. Pa diskutim ishte një gabim.
Është një vizitë e parealizuar juaja në vitin 2000, në Kosovë. U bllokuat për arsye të panjohura deri më tash. Thuhet se përgjigjes për këtë ndalim ishte ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, i cili asokohe ishte kryeadministrator i Kosovës. A jeni takuar me z. Kouchner? A e keni diskutuar këtë çështje bashkë?
Kouchner është mik i vjetër. E kam takuar dhe e takoj. Por nuk e kam diskutuar atë problem ndonjëherë. Unë e kam takuar shumë miqësisht. Bernard Kouchner mbetet ndër miqtë më të shquar të kombit shqiptar dhe mik imi. Ai me shumë ndjenja, me shumë dashuri, punoi për Kosovën. Qe një moment konjukture, dikush ia kërkoi. Ka mundësi shumë që të ketë qenë Tirana zyrtare, sepse kishin shumë frikë. Ka shumë mundësi t`ia ketë kërkuar Tirana zyrtare. Por kjo nuk ka lëkundur ndjenjat e mia ndaj tij, sepse ai qe fat i madh që qe i dërguari i parë i Perëndimit në Kosovë. Dhe e mbylli me shumë nder misionin e tij.
Një moment tjetër interesant është një vit para shpalljes së pavarësisë. Vizita e presidentit Bush më 2007. Prapë një dhuratë e madhe për ju. Vjen presidenti i SHBA dhe i kënaq të gjithë ata që kanë menduar vazhdimisht se Shqipëria ka rol mbi Kosovën. Vjen dhe e deklaron Pavarësinë e Kosovës në Tiranë...
Pavarësia e Kosovës po komplikohej. Mendoj se Shqipëria ia doli të luajë rolin e vet duke e mbrojtur në mënyrë të palëkundur këtë.
Ju e kishit mik edhe Bushin (të vjetrin)...
Ai ka filluar i pari bisedat për Kosovën...
Kur u takuat për herë të parë?
Kur jam takuar me Bushin (të vjetrin), në korrik të vitit 1992, në takimin e parë, ka filluar të flasë për Kosovën, e jo për Shqipërinë. Mori atlasin dhe më tha: “Më thuaj, si është puna me Kosovën?”. I shpjegova që Serbia ka synim ndaj Kosovës, dhe ky synim është fatal. I thashë se duhet të bëhet çdo gjë që ata të mbeten në shtëpitë e tyre. Tutje, Bushi (i vjetri), i përcaktoi një kufi Millosheviçit, se - në qoftë se zbret ushtrinë në Kosovë - do të përballej me të gjithë bombarduesit, përpos nuklearëve.
Po takimi me Bushin e Ri? Cila ishte gjëja më e veçantë? A dha indikacione, kur do të shpallet, sepse u mbajt pak sekrete kjo gjë?
Momenti më i veçantë i takimit ishte kur më tha: “Unë dua mendimin tënd. A do ti dy javë, apo sa, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës?”. Ata të administratës që ishin aty u shtangën. Unë i thashë: Merre kohën tënde, aq sa të duhet ty.
E përcollët këtë mesazh në Kosovë?
Po, i takova.
Çfarë raportesh keni me kryeministrin Hashim Thaçi?
Shumë të mira, absolutisht shumë të mira. Edhe me presidentin, edhe me kryeministrin.
Ka vetëm një vit që kur qeveria e Kosovës ka kompetenca më të plota, meqë nga paslufta ishim nën administrimin e UNMIK. Cilën rrugë duhet ta ndjekë Kosova si shtet i ri, sipas jush?
Mendoj se qeveria e Kosovës realisht po i përgjigjet stadit në të cilën ndodhet. Mendoj se po tregojnë pjekuri dhe maturi të jashtëzakonshme, e cila është e domosdoshme. Mendoj se po bëjnë përpjeke serioze për të tërhequr investimet. Për të valorizuar burimet që ekzistojnë. Kam informacion se ka një disiplinë doganore, disiplinë fiskale. Janë në një presion të njohjeve, normale është, por edhe për të ecur - ka ecur. Por duhet të jemi realistë, përderisa Rusia ka bllokuar Këshillin e Sigurimit, rruga është zgjatur. Ama është në një rrugë e pakthyeshme. Ka nevojë që të jemi shumë aktivë të gjithë. Qeveria e Kosovës, qeveria e Shqipërisë. Por, është një rrugë e pakthyeshme.
Pra, mendoni se qeveria e Kosovës po ecën në rrugë e duhur?
Po. Për mendimin tim, po. Edhe Kosova po ecën në rrugën e duhur, në tërësi. Edhe opozita po ecën në rrugën e duhur.
Shumë shpejt do të inaugurohet rruga që lidh Kosovën me Shqipërinë. Sa do të ndikojë kjo ekonomikisht, pos të tjerash?
Unë mendoj se ka një ndikim të jashtëzakonshëm, jo vetëm ekonomik, por në të gjitha aspektet. Ajo i jep Kosovës akses në Evropë. Është një gjë e jashtëzakonshme. Ka një rëndësi shumë të madhe, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë.
Ju keni thënë se do të ndërtoni edhe një rrugë tjetër?
Absolutisht, po. Kam premtuar se do t’i ndërtoj akset e shkurtra. Nëse shqiptarët do të më votojnë në mandatin tjetër, do të bëj të gjitha akset e shkurta. Kështu, distanca Tiranë-Shkup do të jetë 100 kilometra më e shkurtër. Do të jetë rruga e bregut të Drinit, nga Fierza në Koman, që do të shkurtojë 120 kilometra Kosovën Perëndimore. Do të afroj Sarandën 100 e ca kilometra me Tiranën...
Ndërtimi i largpërçuesit, ndërtimi i portit për Kosovën janë kontribute të jashtëzakonshme për Kosovën...
Po, po shkrihet Muri i Berlinit midis shqiptarëve.
A do të vini, kur do të inaugurohet rruga për Kosovën?
Po, pa diskutim. Atë po pres.
Më në fund Shqipëria po hyn në NATO. Ne e dimë çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, por çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Shpirti i kombit është një. Nuk ndahet me asgjë. Është një gjë historike për çdo shqiptar.
Tani pavarësia është mbyllur, ndërkohë debati për identitetin kosovar vazhdon. ǒmendim keni ju për këtë? A keni ju problem ta kuptoni, për shembull, gjuhën që flasin kosovarët?
Identitet kombëtar u përpoqën të krijojnë serbët, por dështuan...
Është absolutisht e domosdoshme të rishqyrtohet problemi i gjuhës, sepse gjuha po varfërohet, po dalin fjalë jashtë përdorimit me shpejtësi të madhe. Po del fondi fjalor i saj nga korniza tepër e ngushtë, u përjashtua gjuha liturgjike tërësisht prej saj, që është shqipja më e rrjedhshme. Ata duhet të kenë kurajë. I dhanë një kontribut vendit me drejtshkrimin, nuk e mohoj. Nuk ka asnjë rëndësi a është ky apo ai dialekt...
Po të jetë puna për në gegërishte, gjuha e nobilitietit është e Shkodrës. Por, nuk them se duhet të jetë. E rëndësishme është që të hapen kanalet. Me rëndësi janë prurjet. Unë nuk jam që të vihet as dialekti shkodran. Megjithëse, aq sa kanë pasur fisnikëri shqiptarët, aty në atë dialekt ka një fjalor fisnikërie. Por, u larguam tërësisht nga liturgjia. S’kishte pse të largohej, duhej të merrnin nga ajo anët pozitive. Shko në një kishë dhe dëgjo gjuhën që flitet aty, është shumë e bukur, tingëllon aq bukur. Janë bërë shumë gjëra absurde. Duhet të korrigjohen.
Kush duhet ta bëjë këtë?
Akademikët.
Shqiptarët e Kosovës kanë një kompleks se, kur flasin, nuk kuptohen mirë...
Jo, jo, kuptohen shumë mirë. Nuk ka pse të kompleksohen. Por problemi i rishqyrtimit të disa normave standarde në gjuhë është i domosdoshëm. Sepse gjuha jonë po varfërohet, është gjuhë shumë e pasur, shumë e bukur. Këtu është e gjithë çështja.
A do të largoheshit prej skenës politike, nëse do t’i humbni zgjedhjet që po vijnë?
Në mënyrë absolute do ta respektoj verdiktin e shqiptarëve. Por, siç më thotë parandjenja ime dhe siç e thashë edhe në parlament, le të përgatiten që Sali Berisha do të mbetet edhe për 35 vjet në politikë, nëse nuk më thërret i Gjithëfuqishmi. Por shqiptarët e kanë ndërmend të më mandatojnë edhe një herë.