E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do nxjerr Ramën nga politika

 

bledar hoti

Kryeministri Sali Berisha, në takimin elektoral në zonën e Laprakës u bëri thirrje socialistëve që të mos votojnë PS-në, por të nxjerrin nga skena politike, Edi Ramën. “Ndaj në këtë betejë elektorale, le të jetë kjo fushata e bashkimit të së gjithë shqiptarëve rreth këtij projekti. Socialistëve të Tiranës u takon detyra historike të nxjerrin nga skena politike kryetarin e tyre burracak”, deklaroi Berisha. Në diskutimin e tij, lideri demokrat i ka kushtuar një kohë jo të vogël rivalit të tij kryesor politik, duke e cilësuar si modelin më të korruptuar. “Edi Rama, me një akt të pashembullt në historinë e demokracisë evropiane dhe botërore ju nisi ju në fushatë elektorale dhe për vete ia mbathi prapa karriges së kryetarit të Bashkisë. Edi Rama ka dy vjet që ju thotë ju se do ju çojë përtej të majtës dhe të djathtës, dhe tani kur gjërat dolën në dritë të diellit doli se fjala ishte as për të majtën, as për të djathtën, por për 99-shat e tij, për lejet e ndërtimit. Fjala ishte për ata, të cilëve Edi Rama u jep 70 për qind të lejeve të ndërtimit të kryeqytetit, fjala ishte për ata, me të cilët Edi Rama ndan me dhjetëra e dhjetëra kate ndërtimesh në Tiranë, fjala ishte për 99-shat që mbajnë peng planin urbanistik të Tiranës, fjala ishte për modelin më të korruptuar ndër 3-4 modelet më korruptuara të planetit në lejet e ndërtimit”, tha Berisha. Më pas ai iu drejtua se: “Ju të nderuar socialistë nuk e meritoni këtë, ndaj le të bashkohemi të gjithë dhe atij, t’i rezervojmë së shpejti daljen nga politika dhe bashkia”. Berisha vijoi më pas akuzat ndaj Edi Ramës, lidhur me lejet e ndërtimit. “Edi Rama u thotë qytetarëve shqiptarë se mua më ka votuar Tirana dhe nuk mund të iki. Tre javë rresht i kërkova që të ndryshojmë ligjin dhe e bëra këtë për të respektuar socialistët. Hajde ndryshojmë ligjin dhe në qoftë se të votojnë shqiptarët rri dhe kryeministër dhe kryetar bashkie. Nuk ia mbajti, se e di mirë që Tirana nuk ia fal atij kurrë mbajtjen peng të planit të përgjithshëm rregullues të qytetit. Tirana nuk ia fal kurrë atij që 70 për qind të lejeve të ndërtimit i marrin vetëm dy kompani, e Eftimit dhe e Shkrelit të tij, me të cilët ndan dhe gjobit ndërtuesit shqiptarë”, tha Berisha.
Takimi në Vorë
Kryeministri në orët e vona të mbrëmshme zhvilloi një miting në qytetin e Vorës dhe në zonën e Kasharit. Një ndër premtimet e kryeministrit në këtë takim ishte se Kasharin do ta shpallë në bashki. Berisha nuk ka harruar të përmende dhe ngjarjen tragjike të Gërdecit, ku u shpreh se “drejtësia shqiptare shpresoj dhe do të thotë fjalën e saj për gjithçka”. “Por unë nuk do ta harroj kurrë një moment. Ky moment nuk është ai kur njerëzit e tij në media zgërdhiheshin nga qejfi, sepse dilnin nga flakët kufomat e qytetarëve të kësaj zone. Jo, ky moment nuk është ai, kur bridhnin shtëpi më shtëpi për të blerë dëshpërimin e qytetarëve dhe për t’i nxjerrë ata në rrugë. Jo, ky moment ka ndodhur në këtë fushatë elektorale. Një natë që nuk do ta harroj kurrë, në një debat televiziv midis deputetëve të Durrësit, grupi i 99-shave të Edi Ramës brohorisnin në sallë “Gërdec, Gërdec, Gërdec”. I them Edi Ramës se me 99-shat e tu, me këta naziskinë që i lejojnë vetes të brohorasin për shpirtrat e vdekur, ti nuk ke dhe je i zhveshur nga çdo moral njerëzor, je më lakuriq sesa ke dalë në plazhet e botës. Ndaj dhe asnjë votë për të”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›