E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do plotësojmë standardet evropiane duke ligjëruar martesat “Gay”

Kryeministri bën fakt të kryer ligjërimin e martesave homoseksuale duke eleminuar debatin publik. Ligji për martesat “gay” i ngjashëm me ligjin “antiduhan” i cili dështoi me sukses brenda tre muajve

Kryeministri shqiptar kishte dje objektiv primar të ditës së tij të punës zhdukjen e diskriminimit seksual duke u vetëdeklaruar publikisht si një mbështetës i flaktë i ligjërimit të martesave homoseksuale. Duke dashur të eleminojë diskriminimin për këtë kategori, Berisha ka diskriminuar dje mbarë opinionin publik dhe qytetarët shqiptarë(duke shmangur çdo debat publik apo referendum), që në shumicën e tyre mund të mendojnë ndryshe nga kryeministri lidhur me këtë çështje. “Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane. Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi”, - deklaroi dje Berisha. Ky ligj është i ngjashëm me ligjin anti-duhan që gjithashtu ishte një propozim i ardhur nga OJF-të për të projektuar aspiratat e këtyre organizatave mbi popullsinë, por që rezultoi i sforcuar dhe dështoi me sukses.
Deklarata
Në gjithë Evropë janë vetëm tre shtete që kanë ligjëruar martesat mes personave të të njëjtit seks. Shqipëria duket se do të bëhet vendi i parë në Ballkan dhe ndoshta i katërti në Evropë, që do lejojë me ligj martesat homoseksuale. Në mbledhjen e Këshillit Ndërministror të Integrimit, jo pa shkaktuar të qeshura tek ministrat e kabinetit, kreu i qeverisë Sali Berisha tha se projektligji që e lejon këtë lloj martese ka ardhur si propozim i shoqërisë civile. “Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar ti respektoj . Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin sepse është opinioni. Me mire të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin”, - deklaroi kreu i qeverisë, duke e quajtur “të kryer” këtë ligj edhe pse praktikat evropiane dhe perëndimore këtyre ligjeve i paraprijnë debatin publik dhe referendumet popullore.
Standardi
Vetëm tre vende nga 27 evropiane, Holanda, Belgjika dhe Norvegjia e lanë të ligjëruar martesën homoseksuale. Një përpjekje e njëjtë tek fqinji ynë Italia ka ngjallur reagimin e fortë të Vatikanit. Edhe në Shqipëri ato pritet që të ngjallin reagim të kundërt do të jenë padyshim institucionet fetare. Si Bibla dhe Kurani janë përdorur si argumente të forta kundër martesës homoseksuale në botë. Por nëse në shtetet evropiane këto ligje kanë ardhur si pasojë e kërkesave të homoseksualëve për martesë, në Shqipëri, ky ligj ka ardhur si propozim i disa OJF-ve, që veprojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, por pa shpallur të paktën një kërkesë për“dasmë homoseksuale” konkrete.

Ndryshimi në Kuvend, Kodi i ri i Familjes nuk i ndalon martesat homoseksuale

Kodi i Familjes, i cili është miratuar disa muaj më parë në Kuvend, i ka të përcaktuara të gjitha martesat që nuk lejohen.. Asnjë propozim për të sanksionuar kufizime nuk u pranua gjatë shqyrtimit në komisione dhe në seancë plenare për shkak se palë e interesuar gjatë miratimit të këtij ligji ishte edhe Këshilli i Evropës, i cili ka asistuar në hartimin e këtij ligji. Sanksionimin e kufizimeve Këshilli i Evropës do ta quante si një dhunim të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në Kodin e Familjes që u miratua së fundmi, në asnjë rast nuk përcaktohet ndalimi i martesave të homoseksualëve, burrave dhe grave. Ligji në pamje të parë, duket pak evaziv, por nuk e pengon dot ndonjë çift guximtarësh që të shkojë në gjendje civile dhe t ë vendosë kurorë. Nëse gjendja civile nuk pranon ta bëjë këtë, atëherë juristët rekomandojnë Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vepron sipas neneve të Kushtetutës dhe në të parashikohet mbrojtja e të drejtave të njeriut sipas standardeve ndërkombëtare dhe dokumenteve të miratuara tashmë nga Shqipëria. Janë pikërisht këto dokumente të pranuara nga Shqipëria, të cilat u kanë dhënë mundësi shteteve të ndryshme nordike apo edhe Holandës, Belgjikës dhe ndonjë tjetri, që t'i pranojë me ligj martesat e homoseksualëve. Në asnjë rast Gjykata Kushtetuese nuk gjen dot ndonjë argument ligjor që t'i pengojë këto martesa. Pra, faktikisht, me miratimin e Kodit të Familjes në formatin aktual, asgjë s'e pengon shqiptarët që të shikojnë në ndonjë bashki të vendit për një ceremoni martese mes dy burrave që shkëmbejnë unazat dhe puthin njëri-tjetrin apo mes dy femrash.

Kodi i ri i Familjes

Ndalohen vetëm ato martesa:
-mes gruas dhe burrit që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.
- të personave që kanë një martesë ende të pazgjidhur

- të paralindurit dhe të paslindurit, motra dhe vëllai, ungji dhe mbesa,
emta dhe nipi, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri dhe
nusja, vjehrra dhe dhëndri, njerku dhe thjeshtra, mes personave më të meta
mendore

Kodi i vjetër i Familjes

Ndalohen vetëm ato martesa:

-mes një gruaje që ka mbushur 16 vjeç dhe një burri që ka
mbushur 18 vjeç.
- brenda të njëjtit seks.
-mes vëllait dhe motrës;
-mes kushërinjve të parë;
-mes njerëzve të një gjaku, mes vjehrrit dhe nuses, mes
vjehrrës dhe dhëndrit, mes njerkut dhe thjeshtrës.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›