E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobjani: Vini dorë mbi aksin Tiranë-Durrës, rrezikon jetët e qytetarëve



Avokati i Popullit i ka kërkuar dje zyrtarisht Ministrisë së Transporteve të ndërhyjë urgjentisht në disa pjesë të aksit rrugor Tiranë-Durrës, pasi ky institucion ka konstatuar një numër të madh parregullsish dhe problemesh përgjatë aksit. Vetëm në tri ditët e fundit numri i viktimave në këtë aks ka qenë shumë i madh, ndërsa interesimi i Dobjanit për problemet e këtij aksi duket se ka ardhur pas kërkesës zyrtare të një diplomati francez në Tiranë. “Për shkak të aksidenteve të shumta automobilistike të ndodhura gjatë muajit Korrik në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe nga paraqitja e një njoftimi, në lidhje me sigurinë e qarkullimit në këtë aks rrugor, nga një diplomat Francez, rezident në Shqipëri, Avokati i Popullit ndërmori një inspektim në akset rrugore nacionale, përkatësisht: Tiranë-Rinas, Rinas-Fushë Krujë, Fushë Krujë-Kashar-Prezë -Vorë, Vorë Durrës e kthim, në datën 27.07.2009, nga ora 22.30’’deri në 24.00”, - shkruhet në letrën e Dobjanit.
Akset
“Duhet ngritur e lartësia e murit ndarës së karrexhatave të rrugës, me qëllim evitimin e kalimeve të këmbësorëve nga njëra anë në anën tjetër të rrugës. Gjatë gjithë këtyre viteve, ka rezultuar që këto kalime kanë përbërë një nga shkaqet kryesore të numrit të madh të aksidenteve të ndodhur në këtë superstradë. Në pjesën ndarëse të rrugës Tiranë-Durrës(Superstrada) me rrugën që të çon në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, konstatojmë që sinjalistika treguese për destinacionin kryesor të arritshëm (aeroporti), nuk është e qartë dhe për më tepër edhe ajo sinjalistikë që ekziston është në pamje vizive të papërshtatshme për të mundësuar manovrimin në kohë të drejtuesve të mjeteve motorrike, që udhëtojnë në këtë aks”, - nënvizon Dobjani. Ndërsa për pjesën tjetër të inspektimit të kryer për akset e rrugës së vjetër, Rinas-Kashar-Prezë-Vorë, Avokati i Popullit ka konstatuar se mungon plotësisht ndriçimi i rrugës dhe infrastruktura e cila do të siguronte këtë ndriçim. “Ura e cila ndodhet tek rreth rrotullimi i Vorës dhe që të çon nga rruga e vjetër për në Aeroportin “Nënë Tereza”, është në gjëndje pothuajse tërësisht të amortizuar dhe problematike për mjetet që kalojnë mbi të. Deri në fshatin Marikaj ekziston infrastruktura ndriçuese (shtyllat e ndriçimit), por është jashtë funksionit, pasi nuk ka ndriçim, veç një pjese rruge rreth një kilometër në afërsi të kompleksit ‘Deka.”, - thekson Dobjani.
Rekordet
Çdo ditë aksidentet në Shqipëri shkaktojnë mesatarisht një të vdekur dhe dy të plagosur. Ndër të gjithë vendet fqinje Shqipëria renditet e para për numrin e vdekjeve, si pasojë e aksidenteve. Sipas studimit të fundit të ISHP, rreth 40 për qind e tyre shkaktohen nga pakujdesia e kalimtarëve, pjesa tjetër nga neglizhencat apo konsumi i alkoolit tej mase i shoferëve të automjeteve. Një pjesë e mirë e tyre, bashkë me pasagjerët nuk denjojnë të vënë rripin e sigurimit, çka çon në pasoja fatale gjatë përplasjes. "Nëse do të kthehej në kulturë vendosja e rripit të sigurimit, brenda e jashtë qytetit, plagosjet do të ishin më të lehta, por edhe vdekjet më të ulëta në numër", sqarojnë specialistët. Sipas studimeve të kryera prej tyre, në momentin e përplasjes me shpejtësi të një automjeti në mungesë të rripit të sigurimit, trupi i njeriut përplaset përpara me peshën e një elefanti që bie në gjendje të lirë. "Çka do të thotë se si pasojë e shpejtësisë, forca me të cilën trupi përplaset para është tejet e madhe, rripi i sigurimit është frenuesi më i madh i saj, pasi trupin e mban të fiksuar. Madje është shumë më i efektshëm edhe se airbaget e makinës", nënvizojnë ekspertët e ISHP-së.

Nga inspektimi i kryer nga Avokati i popullit është konstatuar se:

Tek objekti, “mbikalimi” i ndodhur tek kryqëzimi i rrugës së Kamzës me Rrugën e Durrësit, rezultoi që;

Ka mungesë të sinjalistikës fosforishente përgjatë murit ndarës së superstradës Tiranë –Durrës.

Mungon tërësisht ndriçimi i sipërm i rrugës, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes të këtij sistemi dhe mos zëvendësimit të llambave të djegura në shtyllat e ndriçimit.

-Mungesa e kufizimit viziv mbrojtës në anën e jashtme të rrugës, çka do të evitonte aksidente të mundshme që reduktohen nëse do të ekzistonte ky kufizim.

Duhet ngritur e lartësia e murit ndarës së karrexhatave të rrugës, me qëllim evitimin e kalimeve të këmbësorëve nga njëra anë në anën tjetër të rrugës. Gjatë gjithë këtyre viteve, ka rezultuar që këto kalime kanë përbërë një nga shkaqet kryesore të numrit të madh të aksidenteve të ndodhur në këtë superstradë.

Në pjesën ndarëse të rrugës Tiranë-Durrës(Superstrada) me rrugën që të çon në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, konstatojmë që:

Sinjalistika treguese për destinacionin kryesor të arritshëm (aeroporti), nuk është e qartë dhe për më tepër edhe ajo sinjalistikë që ekziston është në pamje vizive të papërshtatshme për të mundësuar manovrimin në kohë të drejtuesve të mjeteve motorike, që udhëtojnë në këtë aks.

Gjendja paraqitet edhe më serioze për shkak të mungesës totale të ndriçimit të sipërm të rrugës me llampa neon. Faktikisht infrastruktura e ndriçimit ekziston, por me sa duket për shkak të mosmirëmbajtjes në shtyllat përkatëse nuk ka llamba ndriçimi.

Pllaka fosforeshente sinjalizuese ekzistojnë pjesërisht dhe jo përgjatë gjithë gjatësisë ku ato janë të nevojshme.

Mungon gjithashtu muri ndarës i karrexhatave të rrugës për gjatë gjithë gjatësisë së këtyre akseve.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›