Kongresi i PS-së, si do të vendoset për qëndrimin në zgjedhje dhe si do votohet për kryetarin e ri
Shaban Sulçe
Statuti i Partisë Socialiste parashikon mbledhjen e Kongresit njëherë në katër vjet, por Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka vendosur thërritjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm në datën 29 gusht. Organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Socialiste do të ketë në axhendën e punimeve të tij dy çështje kryesore: qëndrimin e PS-së ndaj rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe procedurat e votimit për kryetarin e ri të PS-së, duke qenë se sipas statutit, kryetarit aktual i është ndërprerë mandati, pasi PS-ja nuk arriti të dilte forca fituese në zgjedhjet e muajit të kaluar.
Zgjedhjet
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do ti paraqesë Kongresit të Jashtëzakonshëm rezolutën e cila ka të bëjë me qëndrimin që do të mbajë PS-ja për zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo rezolutë u votua me shumicë votash nga Asambleja Kombëtare në mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë. Rezoluta përbëhet nga pesë pika. Në rezolutë theksohet se Partia Socialiste i konsideron zgjedhjet e 28 qershorit si një shans i humbur, për shkak të manipulimeve.
Gjithashtu për shkak të këtyre manipulimeve, rezultati i zgjedhjeve cilësohet i papranueshëm, se PS-ja nuk pranon imponimin e këtij rezultati, se kjo parti nuk njeh legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë, se kjo parti do të kërkojë hetimin e manipulimeve dhe angazhohet për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Tashmë do të jetë Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, që do të mblidhet më 29 gusht për të aprovuar, apo kundërshtuar rezolutën në fjalë. Ky vendim do të merret me vendim të fshehtë.
Kandidaturat
Një tjetër pikë e “nxehtë” e punimeve të Kongresit do të jetë edhe ajo që ka të bëjë me kandidaturat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste. Të gjithë kandidatët që synojnë të zgjidhen kryetar të Partisë Socialiste duhet t’i bashkangjisin kërkesës për kandidim edhe platformat për drejtimin e partisë.
Sipas statutit, kandidaturat për kreun e PS-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kandidatët duhet të paraqesin përpara të pranishmëve në Kongres platformat e tyre, ndërkohë që Kongresi do të vendosë datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste sipas parimit “një anëtar-një votë” jo më vonë se dy muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Votimi do të bëhet i fshehtë. Deri tani, kandidatët për kreun e PS-së pritet të jetë kryetari aktual Edi Rama si dhe anëtarët e kryesisë Ben Blushi dhe Arben Malaj. Në kongres pritet të votohet edhe për anëtarët
Delegatët
Do të jetë vota e delegatëve të Kongresit, ajo që do të rezultojë përcaktuese në zgjidhjen e dy çështjeve më të diskutuara të Partisë Socialiste kohët e fundit. Sipas statutit të PS-së, delegatët e Kongresit zgjidhen nga anëtarësia e Partisë e bashkive e komunave sipas parimit një anëtar një votë dhe normës së përfaqësimit të miratuar nga Asambleja Kombëtare. Kryetari i PS-së, anëtarët e partisë që kanë patur mandat të Kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët socialistë anëtarë partie, anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Ps-së, që nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme, kryetari i Komisionit të Garancive Statuore dhe KZP, kryetarët e PS të bashkive e komunave, kryetarët e bashkive, komunave dhe qarqeve anëtarë partie, kryetari i FRESSH, kryetarja e FGSSH janë drejtpërdrejt delegatë të Kongresit të Partisë. Të drejtën e përfaqësimit me delegatë në Kongres e gëzojnë edhe strukturat e partisë jashtë atdheut si dhe sindikatat dhe shoqatat me afërsi programore me partinë sipas një norme përfaqësimi dhe kritereve të miratuara nga Asambleja Kombëtare e PSSH.
30 Korrik 2009