E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do shndërrojmë fshatrat e bregdetit, në qendra të fuqishme turizmi

Kryeministri Sali Berisha njëkohësisht dhe lideri i Partisë Demokratike ka vijuar takimin e tij elektoral në qytetin e Dhërmiut, ku inauguroi rrugën e re të Bregut, duke e vlerësuar rrugën, si një ndër më të bukurat në Shqipëri. Berisha tha se rruga do të rigjallërojë dhe do të shumëfishojë ndjeshëm potencialin turistik të fshatrave të Bregut. Duke iu drejtuar banorëve të Dhërmiut, ai tha se qeveria e tij është e vendosur që në mandatin e dytë të krijojë në fshatrat e Bregut, standardet më të mira të mikpritjes dhe të jetesës duke i shndërruar ato, në qendra të fuqishme të turizmit në Shqipëri. Inaugurimi i kësaj rruge përben një ngjarje madhore për të gjithë Shqipërinë në tërësi dhe për Shqipërinë turistike në veçanti. Shqipëria dhe ju të gjithë keni në brigjet  e Jonit potencialin më të jashtëzakonshëm turistik në tërë rajonin, ndaj dua tu uroj nga zemra që ju ta gëzoni këtë rrugë dhe tu garantoj se ashtu siç bëmë këtë rrugë, brenda vitit 2010 do të bëjmë rrugën e këtyre fshatrave nga Orikumi në Sarandë, theksoi Berisha. Ndër të tjera ai iu premtoi banorëve të Dhërmiut se në mandatin e dytë të qeverisje së tij do të vazhdojnë investimet për këtë qytet dhe për fshatrat përreth, gjithashtu ai theksoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të bëhet e mundur furnizimi me 24 orë ujë dhe drita e kësaj zone. Unë ju siguroj ju, se vitet që vijnë janë vitet e mëdha të Shqipërisë turistike. Ne këtë kontekst bregu pa mëdyshje është potenciali më i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, duke ju garantuar për infrastrukturën më moderne, për furnizimin më të mirë të parametrave evropiane me energji, tha Berisha. Ndërkohë ai ju bëri thirrje banorëve të zonës që të mos largohen nga Shqipëria dhe vendi i tyre por të qëndrojnë për të investuar dhe për ta ndërtuar atë bashkë me qeverinë e tij, ku theksoi se investimi i qeverisë së tij dhe eksperienca e tyre evropiane do ta shndërrojnë këtë zonë në një kryeqendër të turizmit. Berisha ju bëri thirrje banorëve të Dhërmiut dhe atyre të Bregut që në 28 qershor të marrin pjesë të gjithë në votime dhe të votojnë Partinë Demokratike, të cilën ai e quajti si partia e reformave të cilat do ta çojnë Shqipërinë drejt Evropës. Ndaj dhe më 28 qershor, unë ftoj të gjithë banorët e Dhërmiut dhe të Bregut pavarësisht nga bindjet e tyre politike të votojmë për infrastrukturën moderne bre, për pensione dhe rroga më të larta, për furnizimin 24 orë me ujë, për turizmin në këtë zonë, shumëfishimin  e tij gjatë katër viteve që vijnë, për një breg i cili i rikthehet pasurive të tij përrallore, dhe traditës së tij të shkëlqyer për të ndërtuar të ardhmen që meriton, theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›