E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do ta bëjmë Shqipërinë, Amerikë. Selami: Si në ’92, ju siguroj se PD është garanci drejt BE

LIBRAZHD- Në një miting, me pjesmarrjen e simpatizantëve dhe mbështetësve të saj, Partia Demokratike prezantoi në Librazhd kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit. Në listën e Lbrazhdit, ndodhet edhe emri i Eduard Selamit.

Në këtë mënyrë, ish-themeluesi i PD-së Eduard Selami i rikthehet PD-së, duke u përfshirë në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Z.Selami ka mbi 15 vjet që është shkëputur nga pjesëmarrja në politikë në Shqipëri dhe pritet të ballafaqohet me një mjedis të ri e shumë të ndryshëm politik nga ai që ka lënë në mes të viteve ‘90, kur ishte ende aktiv me politikën shqiptare. 

Berisha: Rama i ka nervat e lodhur, shqiptarë bashkohuni me ne
Berisha ftoi sot qytetarët e Librazhdit, që pavarësisht bindjeve të tyre partiake, të bashkohen në projektin e Shqipërisë së zhvilluar dhe evropiane. Kryeministri premtoi se këta kandidatë do të jenë deputetët e interesave dhe projekteve të qytetarëve në parlamentin e ardhshëm. Duke bërë një analizë të punës qeverisëse në 8 vite kryeministri Berisha pranoi se ka ende shumë punë për të bërë, ndërsa premtoi punësim , mirëqenie dhe integrim.

Duke siguruar se "4 vitet që vijnë janë vitet e infrastrukturës më moderne", Kryeministri premtoi se, së shpejti përurohen punimet në të gjithë gjatësinë e rrugë Qukës - Qafëplloç. Ai garantoi se, "qeveria do të bëjë gjithçka që pasuritë natyrore të këtij rrethi ti shndërrojë në të mira materiale për qytetarët e Librazhdit". 

"Në këtë rreth të pasur me ujëra janë dhënë me koncension rreth 53 HEC-e me një fuqi të instaluar prej 200 megavat dhe me një investim prej 250 milionë euro. Vetëm këto HEC-e do të punësojnë së paku 4 mijë punëtorë nga Librazhdi", tha Berisha.

Ai theksoi se gjatë këtyre viteve, qeveria ka subvensionuar fermerët e Librazhdit për mbjelljen e mbi 80 ha drurëve frutorë, ndërsa shprehu bindjen se "Librazhdi i ka të gjitha kushtet për tu shndërruar në një nga zonat më të fuqishme të prodhimit të druve frutorë".
Sipas tij, "rrugët dhe energjia elektrike janë kushtet më themelore për zhvillimin e biznesit, pasi aty ku shkon rruga, shkon biznesi, rritet prodhimi dhe vlerësohet toka".

Kryeministri i vendit gjeti momentin për t'iu përgjigjur akuzave që kreu i PS-së Edi Rama bëri dje në adresë së tij gjatë një takimi me banorët e njësisë 6 në Tiranë. 

"Unë i them atij, i ke nervat e lodhura. Po të përgjigjem këtu dhe po të them se puna dhe zhvillimi janë qëllimet e mia më madhore. Fakti se në këtë rreth bizneset janë rritur nga 700 në 1420 dëshmon se ne kemi nxitur dhe inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij. Por investimet në biznese të mëdha dhe HEC-e janë bërë pikërisht sepse atje ka vajtur rruga", tha Berisha, ndërsa shtoi se "rruga është kushti për të mos përjashtuar rajone të tëra të vendit nga zhvillimi. 

Ai kujtoi se qeveria demokratike erdhi në pushtet me moton: Të integrojmë Shqipërinë, e cila për 8 vite kishte mbetur në vendnumëro. "Me reformat që ndërmorëm ne fimosëm MSA-në, anëtarësuam vendin në NATO dhe siguruam lëvizjen e lirë në zonën "Shengen" për qytetarët shqiptarë. Ndërsa shoku i autobusit bëri gjithçka për të penguar këto projekte. Tani që ne deklaruam se do të bëjmë gjithçka për libealizimin e vizave me SHBA-në, ai deklaroi se të gjithë do të shkojmë në Amerikë. Por, jo zotëri, ne do të shkojmë në SHBA për vizitë dhe do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë", tha Berisha.

Selami: Si në ’92, ju siguroj se PD është garanci drejt BE 
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Eduard Selami, gjatë fjalës së tij akuzoi lidershipin e Partisë Socialiste Edi Rama se me bllokimin e tre ligjeve, nuk lejoi që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. 

Sleami theksoi se PD me programin e saj është sot shpresa më e mirë e ëndërrës së shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar, ndërsa shtoi se fatkeqësisht në anën tjetër nuk ndahet e njëjta dëshirë për t’u dhënë këtë mundësi shqiptarëve. 

Selami ftoi votuesit ti besojnë së djathtës sikurse në vitin 1992 për një Shqipëri që ecën e sigurt drejt integrimit.

"Ne së bashku me PD i realizuam këto mundësi, sot udhëtojmë si qytetarë të denjë në BE, pa viza, dhe pa radha të gjata në ambasada. Sot jemi anëtarë të NATO. Në këto dy dekada te demokracisë, PD ka nënshkruar cdo marrëveshje per integrimin e Shqipërisë. PD sot është shpresa më e mirë e qytetarëve për tu bërë anëtarë të Evropës së bashkuar. Fatkeqësisht nga ana tjetër nuk është e njëjta mundësi dhe është për të ardhur keq që Rama me bllokoi ne 3 ligjeve nuk lejoi për të marrë statusin e vendit kandidat. Nëse do kishte dëgjuar këshillat e partnerëve tanë dhe zërat e moderuar brenda PS sot Shqipëria do ishte vend kandidat ne BE. Të gjithë ne këtu do ishim shumë mirë, ndaj një vijim i mbështetje për PD dhe zotin Berisha, do th thotë shtet ligjor më i fortë, më shumë investime të huaja, më shumë rrugë të shtruara, më shumë qendra shëndetësore dhe shkolla për fëmijët tanë dhe mbështetje për fermerët. Së bashku do integrojmë Shqipërinë ne BE dhe më 23 qershor do i japim fund politikës së bllokimit. Programi i PD është mi i mirë për të ardhmen e shqiptarëve, jam si në marsin e 9192 për t’iu hënë se mbështetja që do i jepni PD do jetë garancia më e madhe për një Shqipëri evropiane”, tha Selami.
(e.m/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Berisha: Nisim një epokë të re për Tiranën. Rama qaraman, shpërdoroi fondet e Bashkisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›