E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers dhe Trojka e BE-së në zyrën e Topallit: “T’i jepet fund krizës politike në vend”



Eljona Ballhysa
Ambasadori Amerikan, John Withers dhe Trojka e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje dje klasës politike shqiptare që të dialogojë për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Deklarata është bërë gjatë mesditës së djeshme nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Withers, pas një takimi 45-minutësh me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Takimi me kryetaren e ligjvënësit vjen pas takimit që Withers zhvilloi pak ditë më parë me kryetarin e shtetit. Withers, ashtu sikurse dhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ambasadori i prezencës së OSBE-së, Robert Bosh, si dhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri, ka shprehur në këtë takim me Topallin shqetësimin e ndërkombëtarëve për situatën politike në Shqipëri, ku opozita prej gati 3 muajsh nuk ndjek asnjë seancë parlamentare dhe ka nisur një tur protestash masive që në thelb kanë kërkesën për hapjen e kutive të votimit në disa zona ku dyshohet për manipulim votash.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij për mediat, Withers e ka cilësuar bojkotin e opozitës në dëm të proceseve integruese të vendit. Por diplomati amerikan ka theksuar se është i nevojshëm dialogu mes palëve për të arritur kompromisin dhe për të dalë nga kriza politike. “Patëm një takim shumë informativ dhe produktiv me kryeparlamentaren Topalli. Dua të sqaroj se pozicioni i qeverisë amerikane është që do të ishte për të mirën e Shqipërisë nëse dialogu mes aktorëve politikë të arrinte në një kompromis që do t’i jepte fund kësaj situate. Të gjithë e ndiejmë që mosqenia e opozitës në Parlament nuk është në të mirën e vendit. Do të na pëlqente ta shihnim këtë çështje të zgjidhur sepse është absolutisht e rëndësishme dhe një pikëpyetje për politikën shqiptare. Shpresojmë ta zgjidhin sa më parë dhe gjërat të vazhdojnë ashtu siç duhet”, - është shprehur Withers për gazetarët.
Thirrja
Qëndrimi i ambasadorit amerikan është në të njëjtën linjë me qëndrimin e komisionerit europian për Zhvillimin, Oli Ren, i cili pak ditë më parë, në një takim me ministrin e Jashtëm, Meta, u shpreh se “progresi drejt BE-së kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe”. Të gjithë ndërkombëtarët bëjnë thirrje për dialog mes palëve dhe për gjetjen e kompromisit. Ata kanë theksuar se është vetë klasa politike shqiptare që duhet ta nxjerrë vendin nga kriza dhe se ndërkombëtarët nuk mund të ndikojnë në një situatë të tillë. Qëndrimi i diplomatëve vjen në një moment kur PS-ja po përgatitet për protestën finale për numërimin e votave që do të mbahet më 20 nëntor në kryeqytet. Ndërsa qeveria nuk ka parashtruar asnjë propozim konkret për të shqyrtuar kërkesat e opozitës. Përveç deklaratave publike, drejtuesit e maxhorancës nuk kanë organizuar gjatë kësaj kohe asnjë tryezë diskutimi në lidhje me kërkesat apo kushtet e PS-së për t’u kthyer në Kuvend. Madje kreu i qeverisë, Berisha, nuk ka përcaktuar asnjë negociator për t’u lidhur me selinë rozë dhe për të shqyrtuar me seriozitet pretendimet e opozitës. Pavarësisht presionit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, situata vazhdon të mbetet e bllokuar, pasi asnjëra nga palët nuk ka paraqitur një opsion për të dalë nga kriza politike.

Lëvizjet në administratë rrezikojnë përfitimin e fondeve nga BE-ja

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Henk van den Dool, është shprehur dje në tryezën e rrumbullakët mes qeverisë dhe donatorëve të huaj se lëvizjet e shpeshta të nëpunësve të administratës shtetërore nuk sjellin qëndrueshmërinë e reformave. Në këtë tryezë bisedimi merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar dhe ambasadorë të vendeve të BE-së në Tiranë. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, theksoi se pavarësisht se viti 2009 ishte një vit elektoral, qeveria ka ruajtur ritmin e reformave dhe ka ndërmarrë iniciativa ambicioze. Pollo bëri një paraqitje të reformave dhe arritjeve kryesore të shënuara që nga takimi i fundit i këtij niveli mbajtur në nëntor 2008 dhe progresit drejt integrimit evropian. Duke u ndalur në çështje të përmirësimit të koordinimit të ndihmës së huaj, ai nënvizoi se si vend nënshkrues i Deklaratës së Parisit për Efektivitetin e Ndihmës së Huaj, Shqipëria mbetet e angazhuar në parimet e kësaj deklarate si në “rritjen e rolit drejtues të qeverisë në orientimin e ndihmës së huaj drejt politikave dhe prioriteteve të saj”. Në përshëndetjen e tij në emër të donatorëve, ambasadori Henk van den Dool, çmoi rolin efektiv të Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj si një “urë lidhëse” mes komunitetit donator dhe qeverisë. Ai vuri theksin në rritjen e rolit udhëheqës të ministrive të linjës në grupet sektoriale të punës për t’i kthyer këto në forume në të cilat të diskutohen vizioni strategjik i Qeverisë dhe politikat operacionale dhe iniciohen programe me bazë sektoriale. “Lëvizjet në administratën publike konsiderohen si një faktor me ndikim negativ për qëndrueshmërinë e kapaciteteve institucionale, të ngritura edhe me mbështetjen e konsiderueshme financiare dhe teknike të donatorëve”, - u shpreh ambasadori holandez. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadori Helmuth Lohan, prezantuan çështje që lidhen me integrimin europian pas aplikimit për statusin kandidat më 28 prill 2009. Bregu theksoi se qeveria po punon intensivisht për plotësimin e kushteve dhe kërkesave për të marrë statusin e kandidatit, si sfida më e madhe për vendin. Në përfundim të takimit të pranishmit diskutuan mbi çështje konkrete dhe identifikuan hapat e mëtejshëm për të arritur progres edhe në të ardhmen.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›