E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Do të autorizohet grupi i punës për marrëveshjen me Greqinë”

TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur dje se shumë shpejt do të autorizohet grupi i punës për ri-negociimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë. Ai ka bërë të ditur se qeveria do të zbatojë pa asnjë mëdyshje vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, përcaktimi i kufirit shtetëror me Greqinë dhe me çdo vend tjetër është një detyrim që rrjedh nga kërkesat e ndërkombëtarëve dhe se gjithçka do të përcaktohet në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. “Vendimi i Gjykatës nuk është zbardhur. Pavarësisht nga kjo, dy gjëra janë të sigurta. Së pari, vendimi i gjykatës, të pëlqen apo jo, nuk diskutohet dhe do të pranohet. Së dyti, do të autorizohet menjëherë grupi për të nisur punën dhe Shqipëria dhe Greqia do të kenë marrëveshjen. Në bindjen time, Konventa e Detit është zbatuar me korrektesën më të madhe, por, provohet për së dyti vërtetësia e asaj që Gjykata ka vendosur. Pra, zbatimi i vendimit të Gjykatës, e theksoj, të pëlqen apo jo, nuk diskutohet. Ai do të zbatohet”, është shprehur Berisha. I pyetur për deklaratën e Bakojanis, ish-ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila është edhe firmëtare e marrëveshjes së rrëzuar pak ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Berisha tha se nuk ekziston asnjë problem mes dy shteteve fqinje dhe se gjithçka do të shkojë drejt zgjidhjes. “Marrëveshja me Greqinë do të ecë përpara. Përcaktimi i kufirit shtetëror me vendin fqinj, mik, vend anëtar i NATO-s është shumë i rëndësishëm. Ne do të vazhdojmë edhe me vende të tjera, në qoftë se kemi probleme dhe do t’i zgjidhim ato në përputhje me konventat ndërkombëtare, me ligjet më të mira që ekzistojnë”, është shprehur Berisha. (E. B)

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›