Rezoluta e KiE-së i vë vulën krizës mes Berishës e Topit
Eljona Ballhysa
Shanset për organizimin e një tryeze dialogu mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës Rama, me ndërmjetësimin e presidentit Topi, dje kanë shkuar në zero. Vetëm një ditë pas miratimit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të rezolutës për Shqipërinë, kanë reaguar dje të dy krerët e partive kryesore në vend. Si Berisha, ashtu dhe Rama treguan se nuk ndryshojnë qëndrim, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve të parashtruar në rezolutë për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, theksoi se maxhoranca është e gatshme të ngrejë menjëherë komisionin hetimor parlamentar për hetimin e çdo pretendimi të opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, por pa hapur kutitë. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, theksoi se PS-ja i jep fund bojkotit në momentin që vendoset e drejta e opozitës për të hapur kutitë e votimit. Që të dy politikanët u shprehën të gatshëm të ulen në një tryezë bisedimi, por me kushtet e përsëritura. Pavarësisht rezolutës së KiE-së, duket se kjo tryezë bisedimi është tejet e vështirë për t’u mbajtur për shkak se të dy liderët e politikës nuk lëshojnë pe.
Presidenti
Ndërkaq, që të dy liderët e politikës deklaruan dje se pranojnë negocimin e presidentit Topi, por edhe në këtë pikë kanë vendosur kushte. Kryeministri aludoi se presidenti Topi, si kryetar i KLD-së, nuk mund të pranojë kurrsesi që të shkelë vendimet e gjykatave, ndërsa Rama u shpreh i gatshëm të ulet në tryezë, por me nënshkrimin e një marrëveshjeje paraprake në të cilën të përcaktohet se hetimi parlamentar nuk njeh kufij. Berisha pohoi se nuk i thotë jo asnjë negociatori, përfshirë këtu edhe Presidentin, duke u munduar të mbulojë përpjekjen e delegacionit shqiptar në Asamblenë e KiE-së për të hequr nga rezoluta rolin e kreut të shtetit si negociator për t’i dhënë fund krizës politike në vend.
Asambleja, debati
Në fakt, debati i zhvilluar një ditë më parë në Asamblenë e KiE-së nxori në pah dhe konfirmoi qartazi krizën institucionale që ekziston prej kohësh mes kryeministrit Berisha dhe presidentit Topi. Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar në Asamble, në shumicën e amendamenteve të paraqitura për ndryshimin e rezolutës, kishin si kërkesë kryesore heqjen e rolit të negociatorit që ndërkombëtarët i kishin përcaktuar kreut të shtetit shqiptar. Kjo u vu re kur raporteri Wilshire, që është dhe bashkëhartues i rezolutës, iu drejtua kreut të delegacionit shqiptar, Rusmalit, me fjalët se “kërkesa juaj për të fshirë rolin e Presidentit si negociator për zgjidhjen e krizës në vend është jashtë logjike”. Debati në Strasburg tregoi se prej kohësh kryeministri Berisha apo Partia Demokratike kanë bllokuar një projekt të presidentit Topi për të ulur palët në një tryezë bisedimi. Për më shumë se një orë, përfaqësuesit e delegacionit shqiptar kanë debatuar për dispozitat e rezolutës që nxisin kreun e shtetit për të zgjidhur krizën politike në vend. Ky qëndrim i hapur i përfaqësuesve të PD-së kundër rolit të presidentit Topi tregoi marrëdhëniet e ngrira institucionale mes tyre, gjë që ka ndikuar në mos zgjidhjen e krizës dhe që nuk jep asnjë dritë jeshile që palët të ulen në një tryezë bisedimi me ndërmjetësimin e kreut të shtetit.
30 Janar 2010