Rama: “Kryeministri Berisha të hyjë në dialog me ne nën drejtimin e Presidentit Topi”
Partia Socialiste e fton kryeministrin Sali Berisha të hyjë në dialog për t’i dhënë zgjidhje krizës politike. Kryetari i Partisë Socialiste dje shprehu gatishmërinë për t’u ulur në një tryezë politike dialogu nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, por për të nuk ka dialog për asnjë marrëveshje që nuk ka të bëjë me hetimin e zgjedhjeve. Sipas shefit të opozitës, kryeministri Sali Berisha është përgjegjësi, por dhe i vetmi njeri që ka në dorë fundin e bojkotit. Duke theksuar se nuk do të ketë asnjë hap pa pasur më parë një marrëveshje për hetimin e zgjedhjeve, shefi i socialistëve deklaroi se në situatën e krijuar dy janë mundësitë: protestat ose hapja e kutive. Kreu i PS-së theksoi se partia e tij mbështet tërësisht rezolutën e Këshillit të Europës, duke nisur që prej përcaktimit se Shqipëria është në krizë politike. Ai i bëri thirrje kryeministrit që të mos investojë më me baltë mediatike apo blerje deputetësh. Duke akuzuar Berishën se ai është shkelësi kryesor i Kushtetutës, Rama theksoi se ajo çka kërkonte opozita, hapja e kutive, nuk kishte të bënte me një shkelje të vendimeve të gjykatave, por me një të drejtë kushtetuese që e ka jo vetëm Parlamenti, por edhe çdo qytetar. Rama nënvizoi se nuk ka asnjë lidhje procesi i protestave me procesin e dialogut. Sipas tij, dialogu nuk do të kushtëzojë protestat dhe protestat nuk do të kushtëzojnë dialogun. Shefi i opozitës u shpreh se protestat do të zhvillohen deri ditën kur të jetë garantuar e drejta themelore e këtij populli për të votuar lirisht.
Deklarata
Kreu i PS-së e ka konsideruar hapjen e kutive një të drejtë të patjetërsueshme të Parlamentit përmes hetimit parlamentar, duke theksuar se hapja e kutive është një e drejtë e secilit prej nesh, e çdo qytetari të këtij vendit për t’u informuar lidhur me dokumentet që gjenden në kutinë e votimit dhe për fatin e votës së tij. Rama nënvizoi se ato dokumente nuk janë as sekret shtetëror dhe as dokumente në hetim, dhe vetëm në këto raste ka pengesë për hapjen e dokumentit shtetëror. “Berisha është 16 herë i kapur në atentat kundër Kushtetutës dhe e tregon Kushtetutën për të ndaluar hetimin parlamentar, pra për të ndaluar Parlamentin të bëjë rolin e vet. Kjo nuk mund të justifikohet dhe nuk mund të pranohet”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “Sali Berisha, për shkak të eksperiencës së tij, duhet ta dijë mirë se opozita nuk është numra. Opozita është kauzë. Kauzën e popullit opozitar ai nuk e zhbën dot kurrë. Sepse kurrë nuk do të mundet të emërojë kryetarin e PS-së, kurrë nuk do të mundet të kooptojë në Kuvendin e Jozefinës ata deputet që mandatin e popullit do ta ruajnë dhe përfaqësojnë me nder deri në fund; kurrë nuk do të mundet të gjunjëzojë as me forcë, as me para, ata 100 mijë njerëz që do të kthehen në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për të marrë atë që u takon, asgjë më shumë përveçse se ajo që ju takon”.
Marrëveshja për kufirin detar
Gjatë bashkëbisedim me gazetarët, shefi i opozitës theksoi se pezullimi i Marrëveshjes për kufirin detar nga Gjykata Kushtetuese përfaqësonte interesat e popullit shqiptar. “Dua t’ju them shumë sinqerisht, se kompromiset bëhen për interesa dhe mbi interesa, jo për parime e mbi parime. Kompromiset që bëhen me parimet, janë pazare dhe unë nuk jam as personalisht dhe as i autorizuar nga gjithë populli opozitar që përfaqësoj si kryetar i PS-së të bëj pazar me parimet”, - tha Rama. Ai theksoi se liria dhe ndershmëria e zgjedhjeve, liria dhe pavarësia e informacionit dhe, sigurisht, liria dhe pavarësia e gjykatave, janë shtyllat që PS-ja kërkon të arrijë.
30 Janar 2010