E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Topi të bindë Ramën që të respektojë vendimin e gjykatave”

I pyetur gjatë konferencës së djeshme për shtyp nëse Berisha do ta pranonte presidentin Topi si negociator për zgjidhjen e krizës politike në vend, ai tha se më parë presidenti Topi duhet të bindë Ramën që të mos kërkojë hapjen e kutive të votimit. Berisha tha se pranon cilindo negociator, duke përfshirë këtu edhe presidentin Topi. “Do t’ju rrëfej diçka timen të brendshme. Gjatë këtyre muajve, janë jo të paktë personat, personalitete, individë që vijnë e më thonë të ndërmjetësojnë. Unë, Sali Berisha, nuk refuzoj asnjë. Unë kam një interes, atë të vendit dhe interesi i vendit është që opozita të marrë vendet në Parlament. Cilido që mund të japë kontributin e tij në këtë drejtim, as është i paragjykuar, as është i keqpritur. Por, kam konstatuar se asnjë, qoftë edhe një individ i vetëm, nuk ka pranuar kurrë që të pranojë rinumërimin e votave dhe shqyrtimin politik të vendimit të gjykatave. Kjo është e papranueshme. Në këtë kontekst, nuk është çështje e imja, por në qoftë se Presidenti i Republikës e gjykon se mund ta bindë zotin Rama për t’u përshtatur me rregullat themelore të shtetit ligjor, që janë respektimi i gjykatave, unë e mirëpres pa asnjë hezitim dhe jo vetëm të presidentit, por të cilitdo. Unë e kam dëgjuar presidentin, por edhe ju e keni dëgjuar, të deklarojë në mënyrë të përsëritur se si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk mund të konceptojë që të merret me vendimet e gjykatave. Unë nuk paragjykoj askënd. Cilido që mund të japë kontributin më të vogël, është i mirëpritur dhe garantoj secilin se ato që janë shpallur janë serioze dhe do t’u përmbahem”, - është shprehur Berisha.

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›