Berisha: “Pranoj hetimin e zgjedhjeve, por pa hapur kutitë”
Eljona Ballhysa
Duke iu referuar rezolutës së miratuar nga Asambleja Parlamentare e KiE-së, kryeministri Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, i bëri thirrje dje kryetarit të opozitës, Edi Rama, që t’i japë fund bojkotit të Kuvendit. Berisha u shpreh i hapur për të dialoguar me kreun e opozitës. Ai tha se pranon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar çfarëdolloj pretendimi të opozitës, duke përjashtuar mundësinë e hapjes së kutive të votimit. Berisha më tej shtoi se kjo bie ndesh me vendimet e gjykatave dhe se Parlamenti nuk mund të shkelë mbi këto vendime. Duke iu referuar ndërkombëtarëve dhe rezolutës së miratuar prej tyre, Berisha i bëri thirrje Ramës që ta lexojë me vëmendje rezolutën që sipas tij, ka marrë votat e të majtëve të Asamblenë e KiE-së.
Thirrja
“Jam para jush për t’i bërë thirrje dhe për ta ftuar kryetarin e Partisë Socialiste, në interesin më të mirë të vendit, në interesin më të mirë të Partisë Socialiste, të rikthejë apo të fusë në Parlament Grupin Parlamentar të PS-së. E garantoj atë se ky akt do të shoqërohet me ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor parlamentar, për të hetuar me seriozitetin më të madh të gjitha pretendimet e zotit Rama, natyrisht, përveç çështjeve të gjykuara, të cilat, në asnjë rrethanë, nuk mund të jenë objekt shqyrtimi politik”, - është shprehur Berisha, duke mos pranuar konsensus për kushtin dhe kërkesën kryesore të opozitës, atë të rinumërimit të votave. Berisha gjithashtu garantoi se do të pranojë çdo propozim të opozitës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, madje dhe ndryshimin e sistemit elektoral. “Dua të garantoj opozitën se qeveria është e vendosur të bashkëpunojë gjerësisht e ngushtësisht në të gjithë procesin e reformave, në veçanti në reformën zgjedhore, ku, sikundër deri më sot, si zë kryesor do të njohë zërin e opozitës. Ka qenë dhe mbetet qëndrimi im i palëkundur se maxhoranca i takon t’i japë opozitës të gjitha garancitë e nevojshme për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. E bëmë këtë në zgjedhjet e 28 qershorit dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në të gjitha proceset zgjedhore”, - është shprehur Berisha. Ai i bëri thirrje Ramës që të dëgjojë zërin e ndërkombëtarëve që dënojnë bojkotin. “Mendoj se është bërë universalisht e qartë se bojkoti nuk mund të pranohet. Ndaj, edhe njëherë, uroj dhe e besoj që zoti Rama, jashtë emocioneve, të dëgjojë zërin e sinqertë të tempujve të mëdhenj të demokracisë europiane, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, por edhe të çdo institucioni ndërkombëtar, të cilët janë të qartë se bojkoti është antidemokratik kur është sine materia, kur është pa bazë”, - është shprehur Berisha.
Kutitë
Berisha, duke iu referuar rezolutës, tha se hetimi parlamentar nuk do të ketë si objekt vendimet e gjykatave. “Kontributi që dha delegacioni shqiptar ishte palcor dhe ju vetë e patë se si u votua amendamenti, i cili u bë me të vetmin qëllim dhe absolutisht, jo për të zhvlerësuar rezolutën, por për të forcuar rezolutën. Në rast se do të lihej shprehja siç ishte në projekt, ‘komision për të hetuar zgjedhjet’, njëra palë mund të thoshte se kjo i përfshin të gjitha. Por, në fakt, nuk mund t’i përfshijë, sepse ka një limit dhe këto limite i ka përcaktuar Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese e vendit. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka autoritetin e plotësimit të Kushtetutës, aty ku Kushtetuta ka paqartësi ose vakuum. Vendimi i saj duhet të lexohet gjithnjë si një nen i munguar në Kushtetutë. Ky është rregulli i së drejtës kushtetuese. Nuk po hyj të flas për termat, por ju garantoj se jam plotësisht dakord me rezolutën”, - është shprehur Berisha. Ai theksoi dhe njëherë se në rast se opozita nuk futet në Kuvend para datës 7 mars, atëherë humbet mandatet. “Qeveria çdo ditë po drejton thirrje për deputetët e opozitës që të zënë vend në Parlament. Kushtetuta e vendit nuk mund të mbetet kurrë peng i bojkotit. Në nenet e saj, deri në datën 4 mars, janë të gjithëfuqishëm. Mosbërja e betimit është përcaktuar në Kushtetutën e vendit, si një kusht i pavarur për të humbur mandatet. Kjo është kushtetuese. Mosparaqitja për 6 muaj rresht është përcaktuar si kusht për të mbrojtur Parlamentin nga bojkoti. Më 4 mars, për fat të keq, të dyja këto kushte hyjnë në fuqi. Nuk është shumica që vendos, këtu është zoti Rama që vendos t’ua djegë mandatin ose jo atyre 64 deputetëve”, - është shprehur kreu i qeverisë.
30 Janar 2010