Presidenti takon ambasadorët, Topi: “Shpreh keqardhje për debatin e zhvilluar në Strasburg”
Vetëm një ditë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Asambleja e KiE-së,
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur dje në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me cilësinë e Presidencës së radhës së BE-së dhe përfaqësuesin e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Luixhi Bruza.
Dy diplomatët e lartë i shprehën kryetarit të shtetit shqiptar qëndrimin e Bashkimit Europian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe komentuan rekomandimet e rezolutës së miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mbi Shqipërinë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë vlerësoi angazhimin serioz të Asamblesë së Këshillit të Europës dhe lexoi me vëmendje rezolutën e miratuar dje nga kjo Asamble mbi situatën politike në Shqipëri, duke shprehur në të njëjtën kohë keqardhjen që një debat i tillë mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri të zhvillohet në Strasburg, në një kohë që Shqipëria ka qenë nga vendet e para ish-komuniste të anëtarësuara në këtë institucion përfaqësues europian. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu edhe një herë qëndrimin e tij se ndjek me vëmendje situatën mbaszgjedhore në Shqipëri, mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar. “Arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të gjitha institucioneve për të vazhduar reformat e rëndësishme dhe bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë”, - është shprehur presidenti Topi në këtë takim.
30 Janar 2010