E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS në Shkodër, debate për kandidaturat

Ka kaluar jo pa debate mbledhja e së hënës e Asamblesë së PS për qytetin e Shkodrës, në qendër të së cilës kanë qenë përgatitjet për fushatën e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Një pjesë e anëtarëve të Asamblesë mësohet se kanë kontestuar kandidaturën e kësaj force politike për Bashkinë e qytetit të Shkodrës. Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se anëtarët kanë shkuar deri në akuza të hapura, për procedurën e përzgjedhjes së kandidatit. Sipas tyre, në përzgjedhjen e kandidatit nuk ishte preferenca me më shumë vota e dërguar nga baza, por ajo e vetë Kryesisë dhe në veçanti e deputetëve socialistë të qarkut të Shkodrës. Baza e socialistëve të qytetit ka arritur deri në konstatime dhe akuza të rënda ndaj Kryesisë për marrëveshje paraprake, për humbjen e Bashkisë së Shkodrës, në kuadër të marrëveshjeve të fshehta me eksponentët e PD. Anëtaret e asamblesë së PS- së për qytetin, edhe gjatë kësaj mbledhjeje kanë kërkuar transparencë, e cila sipas tyre deri tani ka munguar, ndërsa theksojnë se në përzgjedhjen e kandidaturës është shkelur edhe statuti i Partisë Socialiste. Mësohet se një pjesë e asamblesë ka shfaqur pakënaqësi, gjithashtu edhe në lidhje me listën e anëtarëve të përzgjedhur për Këshillin Bashkiak në qytetin e Shkodrës. Dega e Shkodrës ka qenë edhe më parë objekt përplasjesh brenda socialistëve, në raport me qëndrimet “pro” dhe “kundër” linjës zyrtare të partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›