Berisha: Do të ndërtojmë Skavicën me forcat tona
Pas dështimit të tenderit dhe mosinteresimit të kompanive të huaja, Berisha ndryshon plan
Me një propozim surprizë, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi dje se ka udhëzuar Ministrinë e Energjetikës të hartojë planet për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me investim të qeverisë shqiptare. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha pranoi dje se të gjitha përpjekjet për ta dhënë me koncesion këtë vepër kanë dështuar. Sipas tij, qe kriza botërore ajo që largoi investitorët.
“Tenderi u hap dhe kompanitë më të mëdha të Europës treguan interesin më të madh. Kompania italiane që kishte rezistuar, kompania norvegjeze “Statkraft”, kompania më e madhe në Europë në fushën e hidrocentraleve, kompania e dytë më e madhe energjetike e Gjermanisë RWE dhe kompani të tjera treguan një interes shumë aktiv për këtë hidrocentral. Por, me sa duket, kriza e thellë financiare bëri që këto kompani të mos mund t’u dalin zot ambicieve dhe projekteve të tyre”, deklaroi Berisha dje.
Me forcat tona
Kryeministri Sali Berisha qe zyrtari i parë që pranoi dje se tenderi për dhënien me koncesion të Skavicës ka dështuar. I hapur në fund të vitit 2008, shpallja e tenderit të dështuar u shty për më shumë se një vit me shpresë se dikush do të vinte. Në fakt, askush nuk erdhi. Kompanive të interesuara në parim, nuk u pëlqeu para së gjithash forma e privatizimit dhe së dyti, nuk u pëlqeu mungesa e rrugës që të shpie te vendi i punimeve. Qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë koncesionare në vitin 2004 me një konsorcium të vockël e të panjohur italian. Ky konsorcium mori një bonus me vendim të qeverisë “Berisha” në tenderin e fundit, ndërsa kompanitë e tjera parapëlqyen të mos merrnin pjesë në një garë të paracaktuar. Të njëjtat kompani, që sipas Kryeministrit, u trembën nga kriza, janë angazhuar në investime të tjera shumëmiliardëshe pavarësisht krizës, sepse hidrocentralet jetojnë për shumë dekada, ndërsa kriza zgjat vetëm pak vite.
“Ka edhe një alternativë tjetër që, të jem i sinqertë me ju, më është dukur gjithnjë më e mira, që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike. Në këtë ide kam hasur në kundërshtime të shumta më parë, por kundërshtimet kanë qenë të bazuara, sepse energjinë e blen në tregun botëror, rrugët nuk mund t’i blesh, por t’i ndërtosh. Ky ka qenë fakti që qeveria në rrafshin infrastrukturor u dha përparësi rrugëve dhe natyrisht, rrugët në njërën anë dhe Skavica, një projekt gjigant në anën tjetër, me një kosto minimale gjysmë miliardi euro, nuk ishte në rrezen e mundësisë sonë. Tani është krijuar një situatë tjetër. Situata është më premtuese që qeveria ta konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante. Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, KESH-i dhe agjenci të tjera duhet ta shqyrtojnë me hollësi, duhet të hapë tenderin për projektin, nga studimet fillestare deri te projekti i zbatimit, ose të përcaktojë parimet dhe ta tenderojë me çelësa në dorë”, tha Kryeministri.
Projekti
Skavica, gjatë tridhjetë viteve të fundit, ka qenë më shumë një legjendë sesa një projekt. I hartuar në vitet ’80 si një rezervuar uji dhe hidrocentral që kryen disa funksione njëherësh, ndërtimi i tij u pengua për arsye të paqarta. Në atë kohë, disa thanë se nuk u ndërtua për arsye sigurie; liqeni i ri mbulonte një zonë kufitare. Disa të tjerë thanë se nuk u ndërtua për shkak se përmbyste disa toka në ish-Jugosllavi. Gjatë dekadës së fundit, një numër i konsiderueshëm kompanish ndërkombëtare janë interesuar për të. Mes të interesuarve, qenë edhe gjigantë gjermanë e norvegjezë, të ardhurat vjetore të të cilëve janë deri në 20 herë më të mëdha se ato të qeverisë shqiptare. Asnjëra prej kompanive nuk e pa me leverdi ndërtimin e këtij hidrocentrali. Në tenderin e zhvilluar në dhjetor, qeveria mori zero oferta për të.
Kostot dhe leverdishmëria
Skavica është projektuar që në fillim si pjesë e kaskadës së Drinit dhe përderisa qeveria është pronare e tri hidrocentraleve të tjera, është e qartë se KESH mund të ketë më shumë leverdishmëri në ndërtimin e tij sesa investitorët privatë. Por janë dy probleme që e bëjnë të vështirë realizimin e këtij projekti: I pari është që KESH ka të ardhura prej vetëm 70 milionë eurosh në vit dhe me një bilanc të tillë, nuk mund të marrë përsipër investime dhjetë herë më të mëdha. I dyti, është fakti që çmimet e vendosura për KESH nga Enti Rregullator i Energjisë, nuk pasqyrojnë koston e amortizimit të hidrocentraleve ekzistuese. Në një situatë të tillë, KESH ka pak gjasa që të pranohet si partner i besueshëm për kredi nga bankat. Kryeministri Berisha ofroi dje garanci për kreditë që KESH mund të marrë për Skavicën, por vetë qeveria e tij, duket se nuk e ka më të mirë imazhin para bankave.
“Zoti ministër, duhen filluar me shpejtësi përgatitjet, së bashku me sipërmarrjen e KESH-it, i cili duhet të jetë tërësisht i përfshirë dhe më pas qeveria do të vendosë nëse do të jetë KESH-i që do të angazhohet në ndërtimit e tij dhe qeveria do të mbulojë garancinë e kredisë që do të marrë, apo do të jetë direkt qeveria dhe jo KESH-i që do të hyjë me buxhetin e shtetit. Kjo vepër duhet të marrë jetë, nuk duhet të qëndrojë më si fantazmë në sirtarët e burokracisë shqiptare. Ajo është e domosdoshme. Nga ana tjetër, ndërtimi i saj ul në mënyrë shumë të ndjeshme edhe mundësitë e përmbytjeve të mëdha në zonën e Nënshkodrës dhe Shkodrës, është një lloj tamponi jo i parëndësishëm. Megjithëse parësore janë arsyet që numërova, pasi ne kemi edhe një seri masash të tjera antipërmbytje, të cilat i fillojmë dhe i vëmë në zbatim brenda këtij viti”, tha Berisha dje.
#