Prokuroria: Hetuesit tanë, të mos lëvizin

Organi i akuzës është kundër projektit të qeverisë “Berisha” për OPGJ-të. Diskutim për hapat që do të merren
Prokuroria është kundër projektit të ekzekutivit për ndryshimet në policinë gjyqësore, për sa i përket kalimit të hetuesve të prokurorisë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën se do t’i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë që hetuesit të cilët janë aktualisht në marrëdhënie pune me prokurorinë, të vazhdojnë të jenë. “Nëse hetuesit tanë kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme, atëherë shumë procedime penale apo dosje konkrete do të dëmtoheshin”, thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, ekspertët më të mirë të prokurorisë kanë shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në hartimin e ligjit nga Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Diskutime në prokurori
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të marrë mendimet e disa drejtuesve të prokurorive të rretheve, për t’i paraqitur më pas në formën e një raporti pranë Ministrisë së Drejtësisë. “Drejtuesit e prokurorive të rretheve, por edhe prokurorë me përvojë në sistemin e akuzës, do të pyeten për këtë projektligj në lidhje me statusin e oficerëve të policisë gjyqësore. Më pas, mendimet e tyre, të përmbledhura në formën e një raporti, do t’i serviren grupit që po harton projektligjin”, thanë burimet nga akuza, sipas të cilave hartimi i draftit duhet të bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe mbi “kopje” të marra prej legjislacionit të vendeve perëndimore apo SHBA-ve. Nga mendimet e para, prokurorët kanë shfaqur dyzim në lidhje me varësinë që mund të kenë oficerët e policisë gjyqësore. Disa mendojnë se dosjet duhet të hetohen nga prokurori, dhe të tjerë mendojnë se oficerët e policisë gjyqësore, ose siç njihen rëndom, hetuesit, duhet të plotësojnë një dosje apo procedim penal me të gjithë elementët. Roli i prokurorit, mendojnë diskutantët, është udhëheqës dhe përfaqëson akuzën në gjykatë, ndërsa është oficeri i policisë gjyqësore i cili kryeson hetimet. Megjithatë, e vetmja pikë që prokurorët bien dakord, është se hetuesit që janë në marrëdhënie pune me prokurorinë duhet të mos ndryshojnë varësi, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte punën e deritanishme.
Reforma
ekzekutivi, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, është i bindur se oficerët e policisë gjyqësore që punojnë në prokurori duhet të jenë në varësi të Ministrisë së Brendshme, pasi në këtë mënyrë do të jetë një institucion që do të mbajë përgjegjësitë për çdo procedim penal. Projektligji i ri për policinë gjyqësore, që po merr formë në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, do të largojë nga radhët e prokurorive rreth 100 oficerë të policisë, të cilët janë pranuar në detyrë me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Një pjesë e mirë e oficerëve të policisë gjyqësore që kishin marrëdhënie financiare me Ministrinë e Brendshme, kanë kaluar në varësi të policisë pas një memorandumi bashkëpunimi midis ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe Kryeprokurores Ina Rama. Zbatimi organik i këtij memorandumi, i cili do të kthehet në ligj tashmë, ka lëvizur qindra oficerë të policisë gjyqësore në shkallë vendi, të cilët punonin të atashuar pranë prokurorive në rrethe, edhe pse në aspektin organik vareshin nga Policia e Shtetit dhe paguheshin nga buxheti i kësaj të fundit. Memorandumi parashikonte zhvendosjen e hetimeve nga prokuroria në polici. Hetimet e dosjeve penale do të bëhen në polici, madje edhe fashikujt që përmbajnë provat dhe materialet e dosjeve, do të mbahen në komisariatet dhe drejtoritë e policisë. Bashkëpunimi polici-prokurori filloi të zbatohej disa javë pas marrëveshjes dhe më pas është kthyer gjithçka si më parë, ku askush nuk mbante përgjegjësi për një procedim penal. Në këto kushte lindi nevoja që memorandumi të kthehej në ligj dhe hetimi i dosjeve penale të bëhej në polici, ndërsa prokurorët do të kenë vetëm të drejtën e kontrollit të hetimit dhe verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve procedurale të hetuesve të policisë për zbulimin dhe mbledhjen e provave mbi krimet dhe veprat penale.
#