Gropa në buxhet, deficiti rekord në 10 vjet
BSH: Vlera nominale prej 65 miliardë lekësh për periudhën 11-mujore përfaqëson nivelin më të lartë të deficitit buxhetor që ka njohur vendi për 10-vjeçarin e fundit. Devijohet nga konsolidimi fiskal 2005-‘07
Gropa në buxhetin e shtetit për 11-mujorin e vitin 2009 vlerësohet nga ana e Bankës së Shqipërisë si shifra më e lartë nominale në 10 vitet e fundit. “Si pasojë e një politike fiskale më aktive në kahun e shpenzimeve, deficiti buxhetor ka ndjekur një trajektore rritëse, duke filluar nga muaji shkurt i këtij viti. Ecuria e të ardhurave dhe e shpenzimeve buxhetore, si nga ana e ritmit të rritjes, ashtu edhe nga ana e realizimit të planit kanë favorizuar zgjerimin e deficitit buxhetor, i cili në fund të muajit nëntor vlerësohet rreth 6.2 për qind e PBB-së. Deficiti buxhetor në fund të nëntorit 2009 është rreth 2 herë më i lartë se niveli i shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të njëjtën kohë, vlera nominale prej 65 miliardë lekësh, e shënuar për periudhën 11-mujore, përfaqëson nivelin më të lartë të shënuar gjatë së njëjtës periudhë për 10-vjeçarin e fundit. Deficiti buxhetor gjatë dy viteve të fundit ka njohur ritme mjaft të larta rritjeje, duke devijuar disi nga trajektorja e konsolidimit fiskal të ndjekur gjatë viteve 2005-2007”, bën të ditur BSH në raportin e saj 6-mujor të politikës monetare.
***
Një masë më e lartë e deficitit buxhetor është shoqëruar me nevoja më të larta për huamarrje (të brendshme dhe të huaj), krahasuar me vitet e mëparshme. Si rrjedhojë, krahas instrumenteve të përdorura gjerësisht në financimin e deficitit buxhetor gjatë viteve të mëparshme, në vitin 2009 ka gjetur përdorim edhe kredia sindikaliste. Ky instrument i ri (në vlerën 24.6 miliardë lekë) ka financuar rreth 38 për qind të deficitit buxhetor 11-mujor. Rreth 75 për qind e kredisë sindikaliste është mundësuar nga bankat jorezidente dhe pjesa e mbetur përfaqëson kreditimin ndaj qeverisë të bankave dhe institucioneve rezidente në Shqipëri. Rol të konsiderueshëm në financimin e deficitit për periudhën 11-mujore (me rreth 43 për qind) kanë luajtur edhe të ardhurat nga privatizimet e ndërmarrjeve me kapital shtetëror. Deri në fund të muajit shtator, politika e huamarrjes së qeverisë ka qenë më shumë e orientuar drejt instrumenteve afatgjata të borxhit, ku obligacionet me maturim 5-vjeçar zinin një pjesë të konsiderueshme të totalit të borxhit të emetuar gjatë vitit 2009. Pas tremujorit të tretë të vitit, fokusi i Ministrisë së Financave u zhvendos drejt instrumenteve më afatshkurtra të borxhit, e kryesisht drejt bonove të thesarit 12-mujore. Ndryshimi në kahun e huamarrjes bazohej kryesisht në preferencat e aktorëve kryesorë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, të cilët kanë shfaqur prirje drejt shkurtimit të horizontit të huadhënies, krahasuar me vitet paraardhëse. Rrjedhimisht, deri në fundin e këtij viti përqindja e borxhit afatgjatë në totalin e borxhit pritet të ketë një reduktim të moderuar krahasuar me vitin 2008. Totali i borxhit publik deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2009 vlerësohet rreth 58.3 për qind e PBB-së, kundrejt 56 për qind të PBB-së në fund të vitit 2008.
***
Duke krijuar një diferencë të madhe midis të ardhurave dhe shpenzimeve, qeveria ka përdorur gjatë pjesës së parë të vitit fondet e mbledhura nga privatizimi i kompanisë së naftës ARMO, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) dhe të ardhurat e mbledhura nga aksionet shtetërore të shitura të kompanisë AMC. Nga këto privatizime është mundur që të realizohet një shumë të ardhurash, që në total shkojnë në 20.8 miliardë lekë. Pjesa tjetër për të mbuluar deficitin është siguruar nga huamarrja nga jashtë, që është mbështetur kryesisht në kredinë sindikale të qeverisë me bankat rezidente dhe jorezidente në një shumë prej 250 milionë eurosh, nga të cilat 150 milionë euro janë përdorur gjatë pjesës së parë të vitit.