E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqen të huajt, Qeveria merr përsipër ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës

Tiranë, 3 Shkurt NOA Ndërtimi i
hidrocentralit të Skavicës i cili ka tre dekada që diskutohet nëse do të bëhet
dhe që u mor përsipër nga investitorë të huaj për tu realizuar si vepër, do të
realizohet nga qeveria shqiptare pas tërheqjes nga projekti.

Pohimi u bë sot nga Kryeministri Sali Berisha
i cili tha se për ndërtimin e këtij hidrocentrali, ideja e të cilit ekziston
prej gati 30 vjetësh në vend, u afruan kompanitë ndër më të mëdhatë në Europë
në fushën energjetike, por që, për shkak të krizës së thellë financiare
botërore, ato të mos i qëndrojnë këtij projekti.

Në këtë kontekst, qeveria, po sheh mundësinë e
marrjes përsipër të realizimit të këtij projekti madhor, parimi i të cilit do
të jetë përmbytja më e vogël, prodhimi më i madh.

Ne jemi para dy alternativave. E para është
të shkojmë sërish të tender. Por ka edhe një alternativë tjetër, që të jem i
sinqertë e ju, më është dukur gjithnjë më  mira dhe ajo është që qeveria
shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjetike,
u shpreh Kryeministri.

Ai ka shtuar se krahas infrastrukturës rrugore
në njërën anë, një projekt gjigant si Skavica, me një kosto minimale gjysmë
miliardi euro, nuk ishte i mundshëm, por situata është më premtuese që qeveria
të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigante.

Kryeministri tha se Ministria e Ekonomisë dhe
Energjetikës dhe KESH-i do të përgatisë hapjen e tenderit për projektin dhe
realizimi i tij mund të fillojë gjatë këtij mandati dhe do të jetë vepra
kryesore publike që ndërtohet në Shqipëri në mandatin tjetër.

Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë
mundësitë e ndërtimit të veprave botërore. Pas rrugëve, Skavica është vepra më
e domosdoshme që brenda portofolit tonë mund të ndërtojmë, - tha shefi berisha
duke theksuar se Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e
ndërtimit të veprave botërore.

Gjithçka për Skavicën 

Kjo ide ka rreth 30 vite që qarkullon në të
gjitha kabinetet dhe institucionet energjetike të vendit. Qeveria e mëparshme
kishte firmosur një memorandum mirëkuptimi me një nga kompanitë më serioze
energjetike të Italisë dhe grupit më serioz financiar.

Qeveria vendosi ta njohë këtë vendim dhe këtë
memorandum e shndërroi më vonë në një tender, të cilin e fitoi kompani
italiane.

Kompania italiane që ishte një konsorcium pati
disa probleme me partnerët.

Ndërkohë edhe mendimi i ekspertëve evoluoi
lidhur me përmasat e digës dhe përmasat e liqenit.

Në qoftë se fillimisht ishte parashikuar një
liqen gjigand, i cili mbyste jo vetëm luginën e Dibrës, por dilte edhe në
territore të tëra në Maqedoni, në Dibrën e Madhe, u mendua që të aplikohen
projekte që  harmonizojnë maksimumin e prodhimit me minimumin e
përmbytjes, sepse përmbytja në vetvete është një faktor  shumë i rëndësishëm,
një faktor jo i parëndësishëm ekologjik etj..

Ndaj edhe kjo pikëpamje filloi të
konsolidohet. Kështu që qeveria zhvilloi negociata me konsorciumin italian, i
cili u tregu i arsyeshëm dhe pranoi pikëpamjen tonë dhe këtë kriter.

Por kjo kërkoi që me Skavicën të dilnim për së
dyti në treg. Tenderi u hap dhe kompanitë më të mëdha të Europës treguan
interesin më të  madh.

Kompania italiane që kishte rezistuar,
kompania norvegjeze Statkraft, kompania më e madhe në Europë në fushën e
hidrocentraleve, kompania e dytë më e madhe energjetike e Gjermanisë RVE dhe
kompani të tjera treguan një interes shumë aktiv për këtë hidrocentral.

Por, mesa duket kriza e thellë financiare bëri
që këto kompani të mos mund ti dalin zot ambicieve dhe projekteve të tyre.

Kaskada është një pasuri e madhe dhe Skavica
është kurora e kaskadës, nëna e të gjitha digave nën të ndaj specialistët thonë
se nuk duhet që të pranojmë që kjo pasuri e madhe natyrore të mos shndërrohet
në një vlerë reale për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Projekti, kërkon një kohë minimumi një vit,
maksimumi dy vjet. Pasi të bëhen të gjitha përllogaritjet, kostoja, projekti,
në pamundësi ekstreme, kryeministri thotë se mund të shihet mundësia e afrimit
të aksionerëve të tjerë, por ku qeveria të jetë lider, të udhëheqë e të ketë të
gjithë përgjegjësinë e përfundimit të kësaj vepre.

e.r/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›