SOS për autonominë vendore

Tiranë, 3 Shkurt NOA/Rajmonda Lajthia - Qeveria
duket e vendosur për të ndërhyrë në kompetencat e pushtetit lokal, me qëllim
kontrollin e territorit.
Pas disa konflikteve të krijuara muajt e
fundit, që nisën me truallin në qendër të Tiranës, e për të vijuar me pas me
pallatin 12 katësh, të cilin kërkoi ta prishë, qeveria i ka dhënë të drejtë
ligjore Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar të ndërhyjë për të kontrolluar
territorin e pushtetit lokal.
Ky ndryshim ligjor, i cili cënon autonominë
vendore, pasi kontrolli i njihet Inspektoratit Urbanistik të Bashkisë mori
miratimin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.
Sipas deputetit demokrat Ardian Turku,
ndërhyrja në territorin e bashkisë do të bëhet në rastet kur, autoriteti i
pushtetit lokal nuk ka ushtruar kontroll apo edhe kur vendimet e inspektoratit
të bashkisë nuk janë ekzekutuar.
Por një tjetër rast, kur ky institucion do të
ndërhyjë është edhe kur ka cënime të pasurisë publike.
Përfaqësuesja e ministrisë së Punëve Publike
Gentiana Dorezi shprehet se në çdo rast ndërhyhet kur ka ndërtime që nuk janë
në përputhje me ligjin dhe ky fakt nuk ka pse të trembë investitorët.
Pak kohë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës
Edi Rama i dërgoi një letër kryetares së parlamentit, në të cilën kërkoi që të
mos e miratojë këtë ligj, pasi ai cënon hapur kushtetutën. Por me sa duket
mazhoranca nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zbatimi i kësaj nisme.
r.l/e.r/NOA