Berisha: Do të ndryshojmë të gjithë hartën e çmimit të tokave
Qeveria premton ndryshimin e vlerës së tokës. Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si të domosdoshme që të rivlerësohet nga deputetët çështja e formulës së përcaktimit të çmimit të tokës. "Ky problem i çmimit është bërë një ngërç shumë i madh dhe është shndërruar në një nga pengesat më serioze të zhvillimit të pronës, për shkak të falsifitetit", u shpreh Kryeministri. Në ligjin "Për legalizimet" janë bërë kompromise të rëndësishme, të cilat prekin drejtpërdrejt çështjen e pronave. "Këto rregullime bëjnë disa specifikime të domosdoshme, lidhur me ndërtimet brenda vijës së verdhë, por dhe jashtë saj. Në rastin konkret, ndryshimet konsistojnë për ndërtimet brenda vijës së verdhë, për të cilat theksohet se të drejtën ekskluzive dhe të vetme për zhvillimin e zonës do ta ketë pronari legjitim dhe vetëm ai", u shpreh Kryeministri. Por Kryeministri theksoi se kjo nismë duhet të thellohet edhe më tej dhe të specifikohet që ai person që ka pushtuar truall me pallat, duhet t‘i paguajë çdo centimetër, edhe dëmin edhe fitimin, atij personi që ia ka pushtuar truallin brenda vijës së verdhë. "Në këtë mënyrë, ne bëjmë një forcim të procesit, sikundër, mendoj se duhet të qartësohet fakti se për ata që nuk u përgjigjen pronarëve, duhet të ketë edhe masa, sipas Kodit Penal. Nëse një person është bërë milioner me pronën e një pronari, duhet t‘i përgjigjet atij qindarkë për qindarkë dhe nëse nuk i përgjigjet, atij duhet t‘i kthehen në ditë vuajtje dënimi të gjitha dëmet", tha ai. Duke nënvizuar domosdoshmërinë e rivlerësimit të formulës së vlerësimit të çmimit të tokës, Kryeministri tha se "mund të ketë ndonjë drejtori në Tiranë, që pronën e vlerëson 350 mijë lekë dhe me të vërtetë ajo pronë ka atë vlerë ose ndoshta më shumë, por nga ana tjetër, ka territore të tëra të tjera, me qindra e mijëra kilometra katrorë, ku vlera nuk është as 10 euro dhe vlerësohet 150 euro. Kjo ka bllokuar procesin". Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Bujqësisë, të angazhojnë ekspertët më të mirë, sepse vetëm në çështjen e vlerësimit nuk ka pengesë praktikash. "Ekzistojnë module të gatshme, të cilat bëjnë vlerësimin e tokës apo të çdo gjëje. Kjo çështje është emergjente. Këto ministri duhet të nisin menjëherë punën dhe të përcaktojnë në terma realë dhe jo me mashtrime, çmimin real të tokës", vijoi Kryeministri, duke shtuar se nuk mund të krahasosh qendrën e qytetit me një zonë të cilën deri pak vite më parë mund të ketë qenë gëmushë, poligon, apo objekt tjetër.