E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, ALUIZNI fiton ndaj ish-pronarëve

Tronditet paqja mes mazhorancës dhe opozitës. Shkak këtë herë është bërë ligji për legalizimet, për të cilin, e majta është tërhequr duke akuzuar shumicën se po dërgon për miratim të njëjtin variant të cilin e refuzoi ta dekretonte Presidenti i Republikës. Sipas opozitës, në këtë ligj, janë bërë vetëm disa ndryshime të vogla të parëndësishme, ndërkohë që është debatuar mjaft mes tyre dhe deputetëve të mazhorancës, në lidhje me kompetencat e shumta që po i jepen ALUIZNI-t, duke ia marrë ato pushtetit vendor. Diskutimi dje në Komisionin Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, ka zgjatur për gati dy orë, por në fund të tij, nuk është arritur asgjë konkrete, për ta miratuar këtë projektligj me shumicë votash. Secila forcë politike, i ka qëndruar besnike mendimit të saj, duke mos toleruar asnjë presje, pavarësisht se ky është një ndër ligjet më të rëndësishme dhe që prek një masë të madhe të popullsisë. Pas mbledhjes së komisionit, deputeti i PS-së, Ylli Bufi, është shprehur se është diskutuar nen për nen projektligji i padekretuar nga Presidenti i Republikës dhe opozita, ka theksuar Bufi, rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin që nuk mund t‘i merret pushtetit vendor të gjitha kompetencat për t‘ia kaluar ato një agjencie, e cila varet nga Kryeministri, siç është ALUIZNI. "Ne si opozitë mendojmë se kjo përbën një nga defektet kryesore të projektligjit të padekretuar. Mazhoranca me raportin e vet bëri përmirësime vetëm në dy-tri raste që nuk janë fare esenciale dhe përsëri mban qëndrimin e mëparshëm që kompetencat t‘i kalojnë ALUIZN-it dhe këtë në funksion të arsyetimit që ALUIZN-i duhet t‘i ketë këto kompetenca për të kryer sa më shpejt përfundimin e këtij procesi", është shprehur Bufi. Nënkryetari i Kuvendit, theksoi më tej se "ky është një deformim i rëndësishëm i Kushtetutës dhe i ligjit të pushtetit vendor, sepse kompetenca të tilla si ajo e pronësisë së qeverisjes vendore apo si ajo që ka të bëjë me urbanizimin e këtyre zonave vazhdohet t‘i jepet ALUIZNI-t". Kjo, tha Bufi, është arsyeja që ne si opozitë jemi kundër dhe ky projektligj do t‘i kalojë seancës, vetëm me votat e mazhorancës. Por shumica qeverisëse nuk është dakord me qëndrimin e opozitës, duke theksuar se ata nuk po kërkojnë që t‘i marrin kompetencat pushtetit vendor për t‘ia kaluar ALUIZNI-t, për çështjen e legalizimeve. Deputeti i PD-së, anëtar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Rexhep Uka, ka deklaruar pas mbledhjes se mazhoranca ka qenë e angazhuar maksimalisht për t‘i dhënë zgjidhje këtij problemi kaq delikat, por mesa duket nuk qenka kaq e thjeshtë. "Kishin përshtypjen se me opozitën do të arrihej një pikë konsensusi, por kjo nuk u arrit gjatë procesit të shqyrtimit të neneve në komision pati tendenca konstruktive, por në fund dominoi, kundërshtimi që në fillim", tha Uka. Deputeti i PD-së, është munduar të shpjegojë pse opozita ishte kundër këtij projektligji duke theksuar se "kërkesat dhe pretendimet kryesore kanë qenë për t‘i dhënë kompetenca pushtetit vendor, kjo nga ana jonë nuk ka munguar asnjëherë, por duhet të kemi parasysh se është një ligj integral i plotë ku përcakton se një agjenci duhet të ketë një bashkëpunim dhe një bashkërendim, ku duhet të ketë disa ndarje detyrash dhe pushteti vendor është institucion dhe pushtet i përhershëm, ndërsa ALUIZNI i përkohshëm". Në mbledhjen e djeshme në komision, kanë mbërritur edhe disa propozime me shkrim të bëra nga shoqata e ish-pronarëve. Sugjerime të cilat vetëm sa janë lexuar, pasi nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë bërë pjesë e projektligjit. Gjithashtu, edhe në mbledhjen e djeshme nuk kanë munguar përfaqësuesit e ALUIZNI-t, të cilët kanë vazhduar të këmbëngulin në propozimet e tyre, pjesa më e madhe e të cilave janë pranuar duke u futur në projektligj. Tashmë ky projektligj pritet të kalojë për votim në Kuvend për herë të dytë, pasi herën e parë arriti të marrë vetëm 52 vota dhe për 13 arsye nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës.

Mazhoranca

Disa nga propozimet e pronarëve

Të vendosen datë për legalizimet, pasi në të këtë ligji lë shteg për legalizimin e ndërtimeve informate edhe në ditët e sotme dhe të ardhmen. Mendojmë se kartela e regjistrimit është dokument që hartohet vetëm nga ZRRPP Në bashkëpunim me AKKP mbi bazën e vetë deklarimeve të ndërtimeve pa leje të depozituara, programon fonde nga buxheti i shtetit për kompensim në vlerë të subjekteve të shpronësuara. Ky fond miratohet nga kuvendi. Mendojmë se është e domosdoshme që Kuvendi duhet të dijë faturën financiare të këtij ligji ALUIZNI në bashkëpunim me ZRPP dhe AKKP. Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë t‘i drejtohen gjykatës në rastet kur nuk janë dakort me masën e dëmshpërblimit ALUIZNI pajis me lejen e legalizimit, pasi të jetë realizuar shpërblimi i subjekteve të shpronësuara Leja e legalizimit së bashku me vendimin e legalizimit. Dosjet e legalizimit kanë karakter ruajtje të përhershme. Kartela e regjistrimit është dokument që hartohet vetëm nga ZRPP e cila duhet domosdoshmërisht të administrojë dosjen e plotë të fitimit të pronësisë. Subjekti që ka ndërtimin pa leje për dy vjet e parapaguan një qira trualli të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Diferenca midis qerasë së liberalizuar dhe asaj të vendosur nga Këshilli i Ministrave mbulohen nga shteti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›