E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stringa i PD-së: Qeverisja, pa filozofi dhe e copëtuar

 

Anëtari i kryesisë së PD-së tha se ndryshimet në qeveri duhet të jenë të menjëhershme, në të kundërt, zgjedhje

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk po përballet më me kërkesën rutinë të ndryshimeve në qeveri, meqenëse në kabinetin e tij nuk ka zv/kryeministër, apo republikanët nuk janë më të përfaqësuar. Shefit të ekzekutivit, tashmë po i vihet në dukje se maxhoranca e tij qeverisëse është e copëtuar dhe pa filozofi. Konkluzioni nuk vjen nga përfaqësuesit e opozitës, por nga një prej anëtarëve të vjetër të kryesisë së Partisë Demokratike, Omer Stringa. Ky i fundit, ka dy kërkesa për kryeministrin Sali Berisha: të rikonceptojë shumë shpjet maxhorancën qeverisëse, ose ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. “Mazhoranca që ne kemi krijuar, nëse në fillimet e saj qe një mazhorancë qeverisëse, tani është një mazhorancë numerike. Kjo krijon problemet më të mëdha të qeverisë”, -tha dje Stringa, i njohur si nja nga zërat e pakët brenda selisë blu që flet hapur për realitetin e të djathtës, 3 vjet pas ardhjes në pushtet. Stringa në analizën e tij shtron problemin se mazhoranca ku PD është lider, nuk ka më filozofi qeverisëse. “Pra mazhoranca, ku ne jemi lider të qeverisë, nuk ka filozofi qeverisëse, ose e ka humbur gjatë rrugës. Por filozofi qeverisëse nuk ka, por është thjesht një mazhorancë numerike. Pse ka ardhur dhe si ka ardhur, kjo kërkon një analizë të veçantë dhe unë e shikoj qeverisjen tonë të copëtuar”,- tha ai. Anëtari i kryesisë së PD-së shtroi edhe variantin tjetër, atë të zgjedhjeve të parakohshme, në rast se nuk do të mund të krijohet një mazhorancë me filozofi qeverisëse. Sipas tij, nuk ka më as kohë dhe se ndryshimet duhen bërë sa më shpejt të jetë e mundur. “Nëse ne nuk mund të krijojmë një mazhorancë me filozofi qeverisëse, unë pranoj të shkojmë edhe në zgjedhje. Kohë për të ndryshuar dhe për të rikonceptuar mazhorancën ne kemi, por kjo kohë nuk pret. Unë gjykoj se po të kalojnë dhe dy-tre muaj, ndryshimi i qeverisë do të jetë fare pa efektivitet, por do të jetë një ndryshim kot. Unë besoj tek inteligjenca e Kryeministrit, sepse i njeh mirë shifrat, i njeh mirë llogaritë. Ndoshta llogaritë nuk i dalin pa shifra. Unë vazhdoj edhe më tutje se nëse nuk i dalin me shifra, është më mirë ta prishim dhe të shkojmë në zgjedhje”,- tha Stringa. Rreth debatit të hershëm të ndarjes se posteve partiake dhe atyre ekzekutive, Stringa tha se mbi të gjitha, është e nevojshme të bëhet një analizë. “Për personat që nuk i bëjnë dot të dyja, pra, bëjnë mirë njërën ose tjetrën, ato duhet të ndahen. Por çështja në thelb qëndron tek analiza, e cila është e para. Unë them gjithmonë që jo analizë për të bërë gjueti shtrigash, por në konceptin e ndryshimit të punës së mazhorancës në qeveri dhe të përmirësimit të punës në parti”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›