Raporti i AKKP, Alibeaj bllokoi procesin e kthimit të pronave
Nga ana e saj, AKKP vetëm për tremujorin e parë të vitit 2008, ka marrë 872 vendime në të gjithë vendin, duke shënuar dhe një rekord në marrjen e vendimeve. Por, çfarë ka ndodhur? Sipas raportit, ish-drejtori, Besnik Maho, i ka dërguar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për miratim një projekt-udhëzim, ku kërkohej rishqyrtimi nga AKKP në qendër i të gjitha vendimeve të miratuara nga ish-komisionet vendore dhe ish-komisionet e rretheve që jo pak herë kanë abuzuar në dhënien e tyre. Nga ana e ministrit të Drejtësisë është marrë vetëm heshtje dhe ky projekt-udhëzim nuk është miratuar, duke lënë në fuqi me vullnetin e tij vendimet abuzive për pronat. Fakti që në dijeni të këtij raporti ka qenë dhe kryeministri Berisha nuk e përjashton këtë të fundit nga përgjegjësia. Duket se nga ana e AKKP në funksion të përmirësimit të punës është kërkuar dhe rritje e strukturës së AKKP, pasi duhet theksuar se ajo operon vetëm me 150 persona në të gjithë vendin. Në shumë raste, në disa agjenci punojnë vetëm dy apo tre persona. Por sërish nga ana e ministrit dhe e kryeministrit nuk është miratuar rritja e strukturës, duke shtuar akoma më shumë vështirësitë dhe duke kontribuar kështu në zvarritjen e procesit. Pra, me pak fjalë, ALUIZNI, që ka marrë përsipër të legalizojë atë çka është e paligjshme, operon me një strukturë prej rreth 500 vetash në të gjithë vendin dhe dokumentacioni i çdo qytetari i kryhet nga ky institucion. Ndërsa pronarët duhet të vrapojnë sa në një zyrë në tjetrën, sa në një institucion në tjetrin për të mbushur dokumentacionin, sepse ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk denjon të dërgojë në Këshillin e Ministrave propozimin për rritje strukture.
Gjithsesi, nga raporti del qartë që ka një keqdashje të qëllimtë nga ana e vetë ministrit, që duket se para kryeministrit tregon vetëm raportet e kontrolleve të sajuara nga vetë ai, për shkak se ka dashur të fusë në dorë institucionin e pronave