E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të vazhdoj reformën në arsim



Arsimi i lartë në vend do t’i nënshtrohet një reforme të thellë gjatë muajve në vazhdim. Paralajmërimi erdhi dje nga Kryeministri Sali Berisha, i cili mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 98 studentëve të Universitetit privat "Zoja e Këshillit të Mirë" në Tiranë. Por Berisha siguroi se universiteteve private do t’u jepet dhe më shumë hapësirë për të arsimuar të rinjtë, nëse mazhoranca do të jetë ende në pushtet. "Unë do të garantoj universitetet private se në rast se ata aktualisht përballen apo mbulojnë rreth 12 për qind të arsimit të lartë, do të bëj çdo përpjekje që vitet që vijnë, natyrisht në rast se shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, kjo përqindje të shkojë drejt barazisë dhe tejkalimit", - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë bëri të qartë se pavarësisht arritjeve në arsimin e lartë, vendi ynë mbetet ende mbrapa nga vendet e tjera evropiane. Këtë e dëshmon dhe fakti, sipas tij, ku një përqindje e konsiderueshme e të punësuarve në vendin tonë janë pa arsim të lartë. Berisha pohoi se krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës, vetëm 10 për qind e të punësuarve janë me arsim të lartë, ndërkohë që kjo statistikë është mbi 20 për qind për këto vende. Ai vuri në dukje se kjo është vetëm gjysma e rrugës. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri e cilësoi këtë ngjarje si një zhvillim frymëzues për arsimin e lartë në Shqipëri. “Rektori i këtij universiteti, z. Paolo Ruati na njohu se gjatë këtyre viteve janë ftuar dhe kanë dhënë mësim mbi 450 profesorë, profesorë të asociuar dhe specialistë të shquar të universiteteve italiane. Jam i bindur se me të njëjtën dëshirë dhe me të njëjtën vendosmëri, profesorë nga universitete të Italisë, Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë do të dëshironin të vinin dhe në universitete të tjera private dhe publike të vendit. Unë jam i bindur që ky shembull do të frymëzojë universitetet publike dhe private të Shqipërisë për të ngritur në nivel evropian diplomimin e studentëve dhe studenteve të tyre”, - u shpreh Kryeministri. Ai nënvizoi se për këtë qeveri arsimi ka përbërë dhe do të përbëjë përparësinë më madhore. “Sot në Shqipëri funksionojnë rreth 10 universitete publike dhe po kaq edhe private. Unë dua të garantoj universitetet private se në rast se ata aktualisht përballen apo mbulojnë rreth 12% të arsimit të lartë, do të bëj çdo përpjekje që vitet që vinë, natyrisht, nëse shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, që kjo përqindje të shkojë drejt barazisë dhe tejkalimit”, - u shpreh Kryeministri. Në përshëndetjen e tij, Berisha i shprehu falënderime dhe mirënjohje rektorit të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, të gjithë pedagogëve vendas dhe të huaj, studentëve dhe familjarëve të tyre, që të gjithë së bashku bënë të mundur arritjen e këtij niveli dhe kësaj cilësie në këtë universitet. Nga ana e tij, zëvendësrektori i këtij universiteti, z. Tritan Shehu, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen, idetë dhe reformat e rëndësishme që po udhëheq në Shqipëri në fushën e arsimit, dijes, shkencës, të cilat që janë në themel të zhvillimit dhe integrimit të mëtejshëm të vendit. Rektori i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, z. Paolo Ruati, shprehu kënaqësinë që ky universitet ka mundësi t’u japë studentëve të tij diploma të të njëjtit nivel me ato të studentëve italianë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›