Naim Gazidede, kreu i ri i PD-së së Dibrës
Naim Gazidede është kryetari i ri i PD-së së Dibrës. Kuvendi i 9-të i demokratëve të Dibrës zgjodhi në krye të degës së PD-së pikërisht kryetarin e Këshillit të Qarkut, z. Gazidede. Në zgjedhjet e djeshme merrnin pjesë të deleguarit e qendrës, anëtari i Kryesisë së PD-së, Ilir Bano, këshilltari i Kryeministrit Berisha për Arsimin dhe Shkencën, Myqerem Tafaj, anëtari i Këshillit Kombëtar, Njazi Kosovrasti, deputetët Rrahim Kaleci e Albert Farruku dhe shefi i departamentit të Organizimit në selinë e PDSH-së, Albert Avduli. Deputeti i zonës, Rrahim Kaleci, ish-kryetar i PD-së, dega Dibër, evidentoi arritjet e strukturave të partisë në zgjedhjet e kaluara të pushtetit vendor si dhe përpjekjet e pareshtura të qeverisë “Berisha” për krijimin e klimës së përshtatshëm për rritjen e investimeve në Dibrën e harruar nga ish-qeverisja socialiste. Duke përshëndetur në emër të Kryesisë së PDSH-së, z. Ilir Bano tha: “Standardet tona maten me premtimet e mbajtura dhe ne jemi këtu për të deklaruar se dimë të mbajmë premtimet, se dimë të qeverisim, se dimë dhe të realizojmë objektivat, ato objektiva që më shumë se kurrë na afrojnë me ëndrrën tonë të përbashkët, NATO-n dhe Evropën”.
Lefter Koka, kryetar i LSI-së në Durrësit
Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka, zgjidhet kryetar i LSI-së së rrethit të Durrësit. Pasi bëri të ditur afrimin me këtë parti të dielën e javës së shkuar, Koka ka marrë dje mandatin si kryetar i LSI-së në këtë rreth, ndërsa pritet që ai të kandidojë edhe për deputet nën logon e LSI-së në këtë qark për zgjedhjet e qershorit 2009. Lefter Koka u shpreh: “Është kënaqësi për mua për vlerësimin që më bëni. Do të përpiqemi së bashku që t’u japim zgjidhje shumë problemeve që ka sot Durrësi, por dhe e gjithë Shqipëria. Ne të gjithë së bashku na pret një punë e madhe, një sfidë, që është fitorja e LSI-së”. Ndërsa drejtues vendorë të LSI-së si dhe kreu i kësaj partie, Ilir Meta, u shprehën se LSI-ja nuk është më forca e tretë politike, por forca e parë e opozitës në Durrës, gjë që e tregojnë edhe sondazhe serioze. Sekretari politik i LSI-së në qarkun e Durrësit, Iljaz Labi, u shpreh se LSI-ja do të dalë forcë e parë në Durrës, se qytetarët durrsakë nuk mund të lejojnë më që të luhet me fatin e tyre, por duke mbështetur LSI-në ata do të ndryshojnë këtë gjendje të rëndë.