Dosjet, Topalli, letër Kushtetueses: Keni konflikt interesi
Parlamenti përmes një letre zyrtare drejtuar Gjykatës Kushtetuese i kërkon këtij institucioni që të bëjë kujdes me shqyrtimin e ligjit të dosjeve për shkak të konfliktit të interesit. Znj. Topalli njoftoi dje se nëpërmjet letrës zyrtare, Kushtetueses i bëhet e ditur se duhet të respektojë ligjin për sa i përket konfliktit të interesit. Topalli kujtoi se disa nga gjyqtarët kanë konflikt të hapur interesi me këtë ligj dhe i ftoi ata të tërhiqen nga shqyrtimi i tij, duke ua lënë atë kolegëve të tyre që nuk preken nga ligji. “Me sa di unë, nga Parlamenti po përgatitet edhe një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një fakt shumë të rëndësishëm që ne të respektojmë një princip shumë të madh, që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës, principin për shmangien e konfliktit të interesit. Domethënë ai gjykatës që është në konflikt interesi, nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor”, - tha Topalli. Ajo shtoi më tej duke thënë se ligji është i butë, pasi u heq “të drejtën” për punësim për një periudhë kohe të caktuar të gjithë atyre personave që kanë shkelur të drejtat e njeriut gjatë kohës së diktaturës. “Dhe fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë që lidhet me një kufizim për një periudhë të shkurtër të së drejtës “për punësim”, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë. Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare”, - deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe te shqetësimi i ndërkombëtarëve, duke thënë se ligji do të zbatohet dhe se nuk ndikon në integrimin e vendit. “Fakti që shqetësimi është për ligjin e lustracionit tregon se në fakt, realisht Shqipëria ka ndryshuar dhe ka pasur një progres të jashtëzakonshëm. Pra, të gjitha problemet e tjera që ne i kemi pasur në vite, i kemi lënë. Shqipëria nuk është në krizë, Shqipëria ka një rritje ekonomike si asnjë vend tjetër në skenën botërore, Shqipëria po mbyll procesin e ratifikimeve dhe në prill të jemi në Strasburg, Shqipëria po ndryshon”, - tha Topalli. Gjithsesi, ligji i lustracionit ende nuk ka një adresë të saktë për fatin e tij. Këshilli i Evropës kërkoi që ligji të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias, duke u kërkuar si Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe qeverisë, të tërhiqen nga ai ligj.
OSBE: Do të sjellim ekspertë për dosjet
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, njoftoi dje se në Shqipëri do të mbërrijnë ekspertë të huaj të cilët do të monitorojnë ligjin e dosjeve. Ai garantoi se ekspertë të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës do të vijnë së shpejti në Shqipëri për t’u informuar rreth ligjit të miratuar nga Kuvendi për lustracionin. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë garantoi se ekspertët do të punojnë për problemet që shfaq ligji në përbërjen e tij. Deklarata e ambasadorit të OSBE-së erdhi pas qëndrimit të shpallur nga kryetarja e Kuvendit se nuk do të ketë tërheqje nga ky ligj. Në deklaratën e tij për mediat, Bosh tha se i ka kërkuar Parlamentit që të mos zbatojë këtë ligj derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Robert Bosh tha më tej se i ka kërkuar qeverisë të konsultohet me ndërkombëtarët në lidhje me ligjin që pritet të zbatohet.
BE: Hapja e dosjeve të mbrojë institucionet
Procesi i hapjes së dosjeve të mbrojë institucionet e pavarura. Çekia, si drejtuesja e radhës së BE-së, këmbëngul që konsultimet dhe konsensusi duhet të jenë të pranishme në ligjin e lustracionit. BE-ja inkurajoi qeverinë që të konsideronte diskutimet për këtë ligj. Më pas, në këtë deklaratë, BE-ja i kërkon qeverisë të mbrojë institucionet e pavarura. “BE-ja këshillon qeverinë shqiptare të mbrojë, edhe gjatë procesit të lustracionit, pavarësinë e institucioneve të pavarura, në veçanti Gjykatën Kushtetuese, si dhe gjyqtarët dhe prokurorët. Bashkimi Evropian rekomandon se ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese si dhe me standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian mendon se Gjykata Kushtetuese të japë një vendim për kushtetutshmërinë e ligjit përpara zbatimit të tij. BE-ja gjithashtu vëren rëndësinë e vendosjes së dialogut politik. Bashkimi Evropian përsërit se ekspertët e BE-së, OSBE-së dhe KE-së do të jenë gati për të dhënë asistencën dhe këshillat tek autoritetet shqiptare për gjetjen e rrugëve për një objekt sa më legjitim me të kaluarën dhe me standardet e kohës”, - thuhet në deklaratën e BE-së. Deklarata mbyllet duke thënë se Bashkimi Evropian i kushton rëndësi shtetit ligjor dhe ligjit, si pjesë e një prej kritereve bazë për integrimin si dhe bën me dije se do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet në Shqipëri.
Portugalia ratifikon Shqipërinë në NATO
Portugalia firmosi dje Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Java që vjen, mbyll dhe procesin e ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë për Anëtarësimin në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se javën e ardhshme është programuar që të mbyllen të gjitha ratifikimet e shteteve për hyrjen e Shqipërisë në NATO. Kanë mbetur vetëm dy vende si Holanda, dhe Greqia, por që sipas Topallit, të gjitha këto vende do të mbyllin procedurën parlamentare javën e ardhshme. “Deri tani e kanë mbyllur këtë ratifikim 23 vende anëtare të NATO-s dhe pritet që ditën e martë këtë ratifikim ta bëjë Senati i Holandës dhe të martën pasdite kam informacion se do ta votojë edhe Greqia. Ditën e premte ky ratifikim do të bëhet edhe nga Portugalia. Dhe kështu, Shqipëria mbyll këtë ratifikim në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër”, - tha Topalli. Ajo informoi më tej se Parlamenti shqiptar do të jetë gati për të votuar dokumentin final, pas ratifikimit të 26 vendete të Protokollit. “Besoj se javën e ardhshme do të fusim në procedurë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje midis Shqipërisë dhe Aleancës, sepse më parë duhet të përmbylleshin votimet në senatet dhe parlamentet e 26 vendeve anëtare. Parlamenti i Shqipërisë javën e ardhshme fillon vetë procedurën për të votuar këtë Protokoll të Anëtarësimit në NATO dhe kjo do të jetë një ditë shumë e madhe për të gjithë shqiptarët”, - deklaroi Topalli.