E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, 800 kamera për numërimin e votave



Votat e zgjedhjeve të 28 qershorit do të jenë nën vëzhgimin e plotë të afro 800 kamerave regjistruese në mbarë vendin. Por më parë, KQZ-ja do të organizojë tenderin me kompani të interesuara që do të vënë në dispozicion kamerat, monitorët, regjistruesit etj. Në këtë mënyrë pika më e nxehtë dhe më e kontestuar e 18 viteve të fundit, ajo e numërimit të votave, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një element të ri sigurie të lartë, për të cilën KQZ-ja pritet që shumë shpejt të japë zgjidhjen e duhur. Bazuar në nenin 94 të Kodit të ri Zgjedhor, KQZ-ja ka për detyrë që të instalojë kamera regjistruese dhe monitorë të mëdhenj në ekranin e të cilëve do të shfaqet fleta e votimit para se ajo të vlerësohet se për cilën parti shkon vota. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, sqaroi dje për “standard” se me nisjen e përgatitjeve të KQZ-së për procesin zgjedhor të qershorit, shumë shpejt anëtarët e këtij institucioni do të diskutojnë për realizimin e procesit të pajisjes me kamera dhe monitorë të qendrave të votimit. Olli sqaroi se për momentin nuk ka ende një faturë të saktë financiare për këtë detyrim të ri ligjor. Kjo, sepse më parë duhet të ngrihet një grup ekspertësh teknikë për këtë çështje, të cilët do të përpilojnë jo vetëm karakteristikat dhe specifikimet teknike, por dhe koston. Grupi duhet të parashikojë në detaj procesin e instalimit të tyre, funksionimit, regjistrimit të të dhënave, madje dhe mundësinë e pajisjes me gjeneratorë për të shmangur çfarëdo defekti në sistemin e furnizimit me energji. “Pas kësaj, - saktësoi Olli, - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të organizojë tenderin me kompani të interesuara që do të vënë në dispozicion kamerat, monitorët, regjistruesit etj’. Pika 4 e nenit 94 të Kodit Zgjedhor parashikon se KQZ-ja vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Regjistrimi filmik i procesit ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore. KQZ-ja ose, kur është e mundur, edhe KZAZ-ja, duhet të riprodhojë kopje të tyre dhe t’i vërë në dispozicion të subjekteve zgjedhore kundrejt pagesës së një tarife që mbulon koston e riprodhimit. Ndërsa pika 2 e këtij neni parashikon që përpara prezantimit të Vendit të Numërimit të Votave subjekteve zgjedhore dhe KQV-ve përkatëse, KQZ-ja përgatit infrastrukturën e nevojshme logjistike të vendit të numërimit, përfshirë edhe ndriçimin e pandërprerë për fillimin dhe mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave, sipas plan-vendosjes tip të miratuar nga KQZ-ja dhe udhëzimeve përkatëse të KQZ-së. Për këtë, KQZ-ja vendos tryeza pune për çdo grup numërimi, duke siguruar që ato të kenë hapësirë të mjaftueshme për kryerjen e procesit të numërimit të votave. Tryezat e punës vendosen në mënyrë të tillë që të jenë të shikueshme nga anëtarët e KZAZ-së dhe nga vëzhguesit, kandidatët ose përfaqësuesit e medias dhe të mundësojnë aplikimin e teknologjisë mbështetëse, sipas pikës 4 të këtij neni.

Neni 94

Pika 4

KQZ-ja vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Regjistrimi filmik i procesit ruhet në medie elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore. KQZ-ja ose, kur është e mundur, edhe KZAZ-ja, duhet të riprodhojë kopje të tyre dhe t’i vërë në dispozicion të subjekteve zgjedhore kundrejt pagesës së një tarife që mbulon koston e riprodhimit.

Numërimi i votave, kontestimi 19-vjeçar

Procesi i numërimit të votave është pika më e nxehtë e gjithë procesit zgjedhor në Shqipëri, pasi në dalje të rezultatit, palët humbëse kontestojnë rezultatin. Kontestimi i rezultatit nga çdo parti politike që lidhet pikërisht me momentin kur procesi zgjedhor hyn tek numërimi i votave, pasqyrohet në raportet e ndërkombëtarëve, ndaj për zgjedhjet e ardhshme është parashikuar që qendrat e votimit të pajisen me kamera që do të regjistrojnë fletën e votimit, e cila do të shfaqet në një ekran të madh ku të gjithë anëtarët e grupit të numërimit të votave, por edhe vëzhguesit përreth do të shohin se në favor të cilës parti shkon vota. Pas shfaqjes në ekran të fletës, bëhet regjistrimi i rezultatit të saj. Njëkohësisht, partitë kanë të drejtë që të marrin regjistrimin nga KQZ-ja nëse ato dyshojnë se u janë vjedhur votat. Kjo është mënyra që kanë gjetur partitë për të shmangur vjedhjen e votave dhe më pas konstatimin e rezultatit.

KQZ, gati miratimi i planit orientues

KQZ-ja pritet të miratojë sot axhendën e punës për përgatitjen e një procesi zgjedhor sa më të plotë, transparent dhe në bazë të standardeve të kërkuara. Miratimi i këtij plani është lënë për sot, pas disa saktësimeve të kërkuara nga anëtarët e KQZ-së lidhur me trajnimin e grupeve të numërimit, i cili parashikohet të bëhet dy ditë para zgjedhjeve, orientimeve përkatëse për ngritjen e qendrave të votimit, por dhe parashikimi i një platforme të plotë për edukimin qytetar. Plani prej 85 pikash nis me ndarjen e mandateve të zonave zgjedhore, vendim ky i marrë dy ditë më parë dhe më tej vazhdon me vendimin për caktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të KZAZ-ve, GN-ve dhe KQV-ve, miratimin e strukturës organike të përkohshme të KQZ-së, udhëzimin për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e Zyrave Rajonale Zgjedhore si dhe miratimin e strukturës buxhetore për zgjedhjet. Gjithashtu axhenda parashikon caktimin e partive që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë për KZAZ-të, shortin për të zgjedhur anëtarin e 7-të të KZAZ-ve, të gjitha këto, vendime që duhet të merren 4 muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë, tre muaj para datës së zgjedhjeve, duhet të zgjidhen çështje të tilla si ajo e trajnimit të trajnuesve të KZAZ-ve, udhëzimi për

shfaqjen në internet të listave paraprake, miratimi i listës shumemërore të kandidatëve, vendimi për administrimin e procesit të regjistrimit me kamera dhe afishimi në ekran të procesit të numërimit të votave, lloji i bojës matrikuluese, modeli i vulës etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›