E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do t’i merret toka për përdorim atij që nuk e punon

06/08/2009  Kreu i qeverisë kërkon përgatitjen e dy ligjeve për përdorimin dhe shitjen e tokës

Shefi i ekzekutivit thotë se toka me një ligj të ri do t’u shitet edhe atyre që kanë origjinë shqiptare

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar përpilimin e një ligji të ri, i cili do të mundësojë marrjen e tokës nga pronari i ligjshëm dhe dhënien e saj një personi tjetër, i cili do ta shfrytëzojë atë. Sipas kreut të qeverisë, personi që do të marrë tokën për shfrytëzim, në këmbim do t’i japë pronarit të ligjshëm taksën prej një të dhjetën e prodhimit. Berisha ka nënvizuar se toka nuk do të merret përfundimisht dhe se ajo do të vazhdojë të jetë në pronësi të pronarit, i cili e ka marrë atë në bazë të ligjit 7501. Kjo masë, sipas kreut të qeverisë, do të ndërmerret pasi në vend ka sipërfaqe të mëdha toke të papunuar, çka shkakton një dëm të rëndë të interesit publik për vendin. “Në zona të ultësirës bregdetare, dhe jo vetëm të saj, ka mijëra hektarë që nuk punohen. Këtë tokë e kemi ndarë me ligjin nr. 7501, një ligj që është bazuar në parimin ‘toka atij që e punon’ dhe ‘atij që jeton aty’. Unë nuk them se do t’i marrim tokën atij që ia kemi dhënë me ligj e do t’ia japin dikujt tjetër, por kjo tokë do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë i detyruar ta japë me të dhjetë”, - deklaroi Berisha. Ai theksoi se duke e kaluar atë tokë në fondin e komunës, kjo e fundit do të ketë të drejtë t’ia japë dikujt tjetër për ta shfrytëzuar dhe pronarit, që i ka kthyer shpinën tokës, t’i paguajë të dhjetën. “Nuk mund të lëmë as edhe një metër tokë të papunuar në vend”, - nënvizoi kreu i qeverisë. Ai u shpreh se qeveria do të adaptojë një qëndrim të ri ndaj tokës së papunuar. Ai kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të përgatisë projektligjin, i cili do të ketë për qëllim pikërisht vendosjen e kalimit të tokës së papunuar në fondin e komunës dhe dhënien e saj me të dhjetë.

Duke u përqendruar në çështjen e shfrytëzimit të tokës, Berisha bëri me dije marrjen e një nisme të re ligjore, e cila ka për qëllim shitjen e tokës qytetarëve që nuk jetojnë në Shqipëri, por që kanë origjinë shqiptare nga babai ose nëna. Ai ka kërkuar gjithashtu nga Ministria e Bujqësisë përgatitjen e një ligji brenda muajit gusht, i cili do të mundësojë shitjen e tokës në të gjitha format për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare, kudo që ata janë në botë. “Toka në Shqipëri shitet për truall, por nuk shitet për qëllime të tjera. Duhet që ligji të përgatitet me kujdesin më të madh, në mënyrë që çdo shtetas që ka nënën ose babanë shqiptar, që ka origjinë shqiptare”, - deklaroi ai. Kreu i qeverisë bëri me dije se do të përdoren të dyja format, diku kombësia dhe diku origjina, sepse sipas tij ka vende që njehsojnë kombësinë me shtetësinë dhe kjo i përjashton më pas. Kryeministri Berisha theksoi se në këtë rast procedurat e blerjes së tokës do të jenë të njëjta si dhe për qytetarët me shtetësi shqiptare. Ai bëri me dije se pas disa vjetësh ligji do të ndryshojë, në mënyrë që toka t’u shitet edhe atyre personave që nuk kanë origjinë shqiptare. Pra, të drejtën për të blerë tokë do ta kenë më vonë edhe shtetas të huaj, që mund të vijnë nga çdo vend i botës.

Ligji për tokën

Ligji i vitit 1998 “Për shitblerjen e tokës bujqësore” thekson se një shtetas i huaj nuk ka të drejtë të blejë tokë në Republikën e Shqipërisë. Në këtë ligj sanksionohet se trualli mund të shitet e të blihet vetëm nga shtetas shqiptarë. Madje, mohimi për shitje të tokës ndaj një shtetasi të huaj u bë pjesë e ligjit nga ish-mbreti Ahmet Zogu. Në Kushtetutë, në nenin 41, theksohet se e drejta e pronës private është e garantuar. “Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”, - thuhet në këtë nen të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë nen përcaktohet se “për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë”.

Berisha: Ekonomia shqiptare shumë e shëndoshë

“Ekonomia shqiptare gjatë këtij viti, me gjithë krizën e rëndë në të gjithë botën, po ecën me ritme tepër të kënaqshme”, - kështu ka deklaruar dje kreu i qeverisë Sali Berisha, i cili mbështeti mendimin e tij në investimet e mëdha të bëra me paratë e Buxhetit të Shtetit gjatë këtij viti. “Për këtë vit investimet në vend kapin shifrën 10 për qind të prodhimit të brendshëm, dëshmi kjo e një ekonomie dinamike dhe solide. Nuk di asnjë qeveri tjetër që të ketë këtë përqindje investimesh. Kam dëgjuar në një forum botëror kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, i cili u zotua që në 2 vjet investimet në atë vend do të ishin 16 ose 18 për qind, pra me 8 ose 9 për qind në vit, ndërsa Shqipëria i ka 10 për qind”, - tha Berisha. Ai ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se vendi është pjesë e krizës së rëndë ekonomike. “Ata që flasin për krizë ekonomike, kanë krizë të brendshme psikologjike, pasi një vend që investon 10 për qind të prodhimit të brendshëm është një vend me kapacitete dhe gjallëri shumë të madhe ekonomike”, - theksoi Berisha. Duke iu referuar të dhënave më të fundit për eksportet, shefi i ekzekutivit tha se ato janë pozitive dhe shënojnë një rritje të ndjeshme të eksporteve.

Doganat

Lehtësi për kosovarët në doganat shqiptare

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen me qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në çështjet doganore. Marrëveshja për bashkëpunimin doganor me Republikën e Kosovës synon që të lehtësojë maksimalisht një bashkëpunim të ndërsjellë doganor. Gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha sqaroi se doganat nuk mund të hiqen për disa arsye teknike, të cilat lidhen me praktikën e mbledhjes së të ardhurave nga Republika e Kosovës. Për sa u përket doganave shqiptare në kufi me Kosovën, kreu i qeverisë u shpreh se ndoshta ato janë me humbje, pasi të ardhurat që sigurohen prej tyre janë minimale. “Domethënia e tyre, në një kohë kur shkojmë drejt hapjes së marrëveshjeve me të gjithë botën, është më shumë simbolike sesa e rëndësishme”, - deklaroi Kryeministri Berisha.

Energjetika

Nisin procedurat për hidrocentral mbi lumin Vjosë

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar vendimi për lejimin e kryerjes së procedurave të prokurimit për shërbimin e konsulencës për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë. Sipas vendimit të mbështetur nga trupa ministrore, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të kryejë procedurat e prokurimit “tender i hapur ndërkombëtar” me objekt “shërbim konsulence për projektin e kërkuar të ndërtimit me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë”. Sipas këtij vendimi, fondi limit për kryerjen e këtij shërbimi, prej 13 milionë lekësh, i cili do të përballohet nga buxheti i vitit 2009, i miratuar për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministrinë e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Vendim

Qeveria i jep zyra Qendrës së Aplikimeve për Energjinë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për t’i dhënë në përdorim Qendrës Kombëtare të Aplikimeve për Energjinë disa mjedise në ndërtesën e ish-INIMA-s. Gjatë mbledhjes, duke marrë shkas nga ky vendim, Kryeministri Berisha kërkoi që në vijim të praktikave të suksesshme të ngritjes së shërbimit me një sportel sipas modelit funksional One Stop Shop, për regjistrimin e bizneseve dhe atë për licencat, të punohet për ngritjen së shpejti edhe të One Stop Shop-ve për energjinë. Kreu i qeverisë ka vlerësuar shumë të rëndësishme dhe efikase një metodikë të tillë pune, e cila do të eliminojë në maksimum burokracitë. Në vendim saktësohet dhënia në përdorim Qendrës Kombëtare të Aplikimeve për Energjinë të disa mjediseve në katin e parë të ndërtesës së ish-INIMA-s, në administrim të Këshillit të Ministrave.

Arsim

Çelet dega gjuhë-letërsi shqipe e frënge

Qeveria ka vendosur hapjen e programit të studimit të ciklit të parë në degën gjuhë-letërsi shqipe e frënge në Universitetin “Fan S. Noli” të qytetit të Korçës. Sipas këtij vendimi, në përfundim të tij lëshohet diplomë e nivelit të parë (DND) në këtë degë. Vendimi saktëson se ky program studimi i ciklit të parë realizohet me 180 kredite “ECTS” dhe kohëzgjatja normale është 3 vjet akademik, ku në përfundim të këtij programi studimi përfitohet diploma e nivelit të parë (DND). Ky program studimi do ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010. Vendimi saktëson se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i vitit 2009 miratuar për universitetin “Fan S. Noli” i Korçës dhe se ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Fan S. Noli” për zbatim.

Takimi

Berisha takon kreun e PDSH-së Menduh Thaçi

Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje në një takim të veçantë kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, zotin Menduh Thaçi. Gjatë takimit kreu i PDSH-së e përgëzoi Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se kjo ishte një fitore e rëndësishme për Shqipërinë, pasi ruan vazhdimësinë e projekteve dhe punëve që qeveria shqiptare tashmë ka ndërmarrë. Nga ana e tij kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se fitorja e një mandati tjetër është një avantazh i madh për vazhdimin e projekteve që synojnë të shkëputin Shqipërinë dhe shqiptarët nga prapambetja shekullore. Në këtë kontekst, sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kryeministri Berisha u shpreh se katër vjetët e ardhshëm do të jenë një mundësi shumë e madhe për zhvillimin ekonomiko-social. Berisha bëri me dije se ky zhvillim do të përqendrohet në disa drejtime, ku më kryesoret do të jenë ndërtimi dhe zhvillimi i infrastrukturës, ku mes të tjerave përfshihen tri akse rëndësishme: Rruga e Arbrit, boshti i Jugut dhe aksi Fierzë–Koman. Po ashtu një prioritet të madh do të ketë edhe infrastruktura dixhitale, si një komponent tepër i rëndësishëm i zhvillimit të vendit. Shefi i ekzekutivit e njohu kreun e PDSH-së Menduh Thaçi edhe me projektet e tjera të qeverisë në lidhje me arsimin, investimet publike, bujqësi dhe turizëm. Gjatë këtij takimi Berisha dhe Thaçi shkëmbyen mendime edhe për situatën e përgjithshme në rajon dhe në Republikën e Maqedonisë.

Qeveria shpërblen para kohe të dënuarin Arben Grori

TIRANË – Vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ende nuk ka marrë formë të prerë. Ndërkohë dje në mbledhjen e saj të radhës qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë shpërblimin e dhënë nga kjo gjykatë të dënuarit Arben Grori. Pra, dje u vendos që Arben Grorit, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, t’i jepet shpërblimi prej 15 mijë euro dhënë në vendimin e datës 7 korrik 2009 nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Vendimi për të shpërblyer Arben Grorin merr formë të prerë më 7 tetor 2009. Pas shpalljes së vendimit u tha se zbatimi i tij do të mbikëqyrej nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës. Gjykata vendosi të gjobisë shtetin shqiptarë për disa shkelje të ligjit ndaj të dënuarve. Në vendimin e saj u tha se shteti shqiptar duhet të paguajë në favor të Arben Grorit deri më 7 janar 2010 shumën prej 8000 euro për dëm jomaterial dhe për kosto dhe shpenzime të cilat janë kryer nga i dënuari shumën prej 7 mijë euro. E megjithëse qeveria kishte afat për shlyerjen e këtij borxhi deri në janar të vitit 2010, pa marrë vendimi formë të prerë është vendosur shpërblimi i tij dhe shlyerja e gjobës që shteti mori nga Gjykata Evropiane. Kjo gjykatë quajti të padrejtë edhe vendimin me burgim të përjetshëm. Ky vendim është dhënë nga një gjykatë italiane dhe është njohur më pas nga gjykata jonë. Në dispozitivin e këtij vendimi Gjykata deklaron shkelje të nenit 3 të konventës lidhur me trajtimin çnjerëzor të Arben Grorit nga ana e autoriteteve kompetente shtetërore, shkelje të nenit 5/1 të konventës për burgim të padrejtë, shkelje të nenit 6/1 të konventës për një proces të rregullt ligjor ndaj tij, shkelje të nenit 34 të konventës për pengim të së drejtës së aplikantit për ankim në Gjykatën Europiane lidhur me sëmundjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›