E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do tju nxjerr nga kutitë, do të dixhitalizoj votimin

Rritja e eksportit, më e lartë se në çdo vend tjetër të botës

Kryeministri Sali Berisha premton se për zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më votim me fletë dhe kuti, por gjithë procesi do të jetë i dixhitalizuar. Gjatë seancës së djeshme plenare ai premtoi se do të përdoret kjo teknologji për të shmangur gjyqet ndaj komisionerëve socialistë. Kryeministri çon kështu më tej idenë e tij për të përdorur votimin elektronik. Më tej, ai ka komentuar Asamblenë Socialiste, por dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Rritja e eksporteve, pohoi ai, siguron mbajtjen e premtimit për rritje pagash dhe pensionesh por dhe zbatimin e gjithë investimeve të premtuara. Votimi elektronik Do tju nxjerr dhe ju nga kutia, në zgjedhjet e ardhme ju jap fjalën e nderit se nuk do ketë më as kuti, as komisione, as fletë votimi, - tha Berisha, ndërsa duke replikuar me socialistët, pohoi se ata kanë frikë nga teknologjia. Kryeministri premtoi në këtë mënyrë se do të marrë fund gjyqi i shëmtuar publik, si e quajti ai, që PS po u bën çdo ditë në Parlament 20 mijë komisionerëve të saj. Nuk ka më komisionerë, por vetëm votim me gjurmën e gishtit. Nuk do ketë më fletë votimi e kuti votimi, - tha kreu i ekzekutivit. Sipas tij, ndërsa socialistët ndryshojnë statutet, ai ndryshon procedurat e votimit. Ndërsa përsëriti thirrjen drejtuar socialistëve që të mos merren më me persekutimin e komisionerëve, por të merren me të dhe me kritikat ndaj qeverisë. Duke komentuar edhe mbledhjen e Asamblesë Socialiste ai pohoi: Dje ju keni siguruar përfundimisht humbjen e suksesshme. Tju rrojë lideri se humbjen e keni të sigurt. Rritja ekonomike Kreu i qeverisë ka folur gjatë fjalës së tij në seancë edhe për zhvillimin ekonomik të vendit . Ai pohoi se eksportet shqiptare janë rritur 144 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Berisha tha se në asnjë vend tjetër nuk ka pasur një rritje të tillë të eksporteve. Sipas tij, pjesë e rritjes ka qenë sektori mineral, eksporti i çelikut, bakrit apo mallrat e përpunimit aktiv. Rritja e madhe e eksporteve është dëshmi e një entuziazmi të madh, e një preference për prodhimet shqiptare në tregjet botërore, është dëshmi e rritjes së punësimit, të cilësisë së prodhimit, - tha Berisha. Por, - shtoi ai, - kjo rritje është edhe një garanci më shumë për rritjen e pagave dhe pensioneve ashtu siç ishte premtuar. Berisha pohoi se garanci merr dhe procesi i investimeve. Duke përmendur vizitën e tij në Kuvajt ai pohoi se mori premtimin jo vetëm për financimin e sheshit Skënderbej, por edhe të Boshtit të Jugut. Në vizitën që pata në Kuvajt, më premtuan qartë se do financojnë si sheshin e Tiranës, ashtu dhe Boshtin e Jugut, të cilin unë do ta ndërtoj. Dhe pastaj Shqipëria do ketë atë që do finalizojë tërësisht një infrastrukturë të re. Unë do vazhdoj të ndërtoj tunele në Qafë-Kërrabë, në Qafë të Murrizit, do ndërtoj tunel aty ku do pengohemi për rrugën më të shkurtër, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›