Seanca, replika Naço-Ruçi
Seanca e djeshme plenare është shoqëruar dhe me replika të ashpra mes deputetëve. Fjala e nënkryetarit të Kuvendit, Nasip Naço, është shoqëruar me reagimin e ashpër të socialistit Gramoz Ruçi. Deputeti i LSI-së komentoi një shkrim të organit të shtypit të Partisë Socialiste, ku, sipas tij, nuk i kushtohej rëndësi dhe nuk informoheshin socialistët për atë që u bë në Asamblenë me dyer të mbyllura të PS-së, por flitej për përplasje jo të vërteta mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për vende pune. Duke i rrëzuar këto akuza, Naço tha se koalicioni PD-LSI do të jetë i gjatë dhe i qëndrueshëm. Ai kritikoi matej deputetët e Partisë Socialiste, të rinjtë, sipas tij, që drejtohen nga mesazhet në celular, por dhe ata me eksperiencë, të cilët në emër të unitetit të brendshëm po rrezikojnë integritetin e tyre. Ndërsa më tej shpjegoi se bashkëpunimi i LSI-së me demokratët ishte pasi ajo u vu para dy zgjedhjeve në fund të procesit zgjedhor të 28 qershorit: ose të kontribuonte për destabilizimin e vendit, ose për stabilitetin e tij. Dhe LSI zgjidhi të bashkëpunonte me PD-në në emër të stabilitetit, - tha ai. Por Ruçi e konsideroi të papranueshëm të komentohet një organ i shtypit të një partie. Sipas tij, ishte e para herë që ndodhte një gjë e tillë. Asnjë deputet nuk është marrtë me organin e shtypit të një partie. Më fal zotëri, nuk paske rrjedhur, paske... - tha ai nga foltorja e Parlamentit.