“Plotësimi i 12 prioriteteve, inkurajues, Shqipëria me status kandidati sa më shpejt”

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle tha dje në një intervistë televizive se ka gjithnjë një shans dhe se topi është aktualisht në anën e Shqipërisë
Komisioneri për zgjerimin tha dhe për TV “ABC News” se zbatimi i 12 rekomandimeve nga ana e Shqipërisë është inkurajues, për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti.
Komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle tha se ka gjithnjë një shans dhe topi është aktualisht në anën e Shqipërisë. Sipas tij, pas përpjekje shumë të mëdha që janë bërë vitin e kaluar për të krijuar një proces gjithëpërfshirës reformash, ka ardhur koha që të zbatohen 12 rekomandimet.
“Unë kam parë planin e aksionit për zbatimin e këtyre 12 prioriteteve dhe ai është inkurajues. Mund t’ju them, se është një plan shumë i mirë. Ne jemi të gatshëm që ta ndihmojmë Shqipërinë që të arrijë në pikën e duhur për ta nxitur Këshillin e Ministrave që të vendosë për statusin e kandidatit të Shqipërisë sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam i gatshëm që të ndihmoj Shqipërinë për zbatimin e 12 rekomandimeve, pasi zbatimi i tyre do të thotë të ngjisësh një fazë tjetër: hapjen e negociatave të anëtarësimit”, deklaroi Fyle.
Eurokomisioneri Fule konfirmoi se nuk ka asnjë ndryshim në kriteret e përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë, duke theksuar edhe njëherë fort se vetëm implementimi i këtyre kritereve kyçe mund ta bëjë Shqipërinë të fitojë statusin e vendit kandidat për në BE.
“Kur të kemi informacione se Shqipëria i ka përmbushur këto kritere atëherë do t’i raportojmë Këshillit Europian dhe do bëjmë rekomandimet adekuate për hapin e radhës”.
Për sa i përket pesimizmit që mund të shkaktohet nëse merret një përgjigje e tretë negative për Shqipërinë Fyle u shpreh se, “Nuk e di se ç’do të mund të thoshte kjo. Unë di, se si të evitohet ky pesimizëm eventual në vend për të cilin po flisni. Kjo bëhet përmes një pune të përditshme për zbatimin e 12 rekomandimeve. Keni vendosmërinë për ta bërë, keni një dialog që është vendosur midis qeverisë dhe opozitës, keni një plan shumë të mirë aksioni për këto 12 rekomandime. Pra, keni të gjitha elementet e nevojshme dhe për më tepër keni Komisionin Europian në anën tuaj për ti zbatuar këto 12 rekomandime. Ju keni çdo gjë për të evituar një situatë pesimizmi në Shqipëri”. I pyetur se cilat janë sfidat që qëndrojnë para Shqipërisë, Fule tha se në Shqipëri duhet të vazhdojë procesi gjithëpërfshirës i nisur që në nëntor të vitit të kaluar, të vazhdojë bashkëpunimi qeveri-opozitë për të gjitha ato çështje që kanë lidhje me axhendën europiane të Shqipërisë.
Lidhur me rezultatet e fundit në rajon për sa i takon Malit të Zi dhe Serbisë, për Shqipërinë Fyle tha se, “Gjërat po ecin. Shpresoj që çdo vend në rajonin e Ballkanit do jetë pjesë e këtij procesi dhe Shqipëria luan një rol vendimtar në këtë”.