Basha në Portugali, gati miratimi i NATO-s
Portugalia do të ratifikojë shumë shpejt Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë e bëri të ditur kreu i diplomacisë portugeze, Louis Amado gjatë një takimi me homologun e tij Lulzim Basha. “Ministri i Jashtëm portugez Louis Amado, pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe frymën e bashkëpunimit reciprok në planin dypalësh dhe shumëpalësh e informoi Ministrin Basha, se Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentin portugez mori sot në shqyrtim dhe miratoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili do t’i përcillet brenda një kohe shumë të shkurtër Parlamenti portugez për ratifikim në seancë plenare”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme. Gjatë këtij takimi Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur në konsolidimin e reformave ekonomike dhe politike dhe hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të vendit. Me tej, Ministri Basha e informoi homologun portugez se qeveria shqiptare ka përfunduar procedurat për hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Lisbonë dhe së shpejti pritet emërimi i ambasadorit. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha mori pjesë në Ministerialin e Romës për Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB. Gjatë këtij takimi Ministri Basha u shpreh se Shqipëria vazhdon të mbështesë reformën e Këshillit të Sigurimit, që do të çonte drejt një trupe më përfaqësuese të realiteteve të sotme globale, por jo më pak efektive dhe të aftë për të marrë vendime të vështira, që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.