E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: E tepërt që i thashë Ina Ramës lavire, Topi kreu i puçit

TIRANË- Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha ka bërë edhe një autokritikë. Ai nuk ka hequr aspak dorë nga akuzat e adresuara ndaj Kryeprokurores, Ina Rama, si organizatore e asaj që shefi i qeverisë e quan “Puçi i 21 janarit”. Por është tërhequr nga etiketimi “lavire bulevardi” i kryeprokurores. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, teksa ka folur sërish për ngjarjen e dhunshme të 21 janarit, Berisha e ka cilësuar të tepërt etiketimin që ai i bëri pak kohë më parë Kryeprokurores. Ai mësohet të jetë shprehur se një fjalor i tillë nuk i shkon një kryeministri, ndërkohë që me batutë i është drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar: “Këtej e tutje, do t’i drejtohem me shoqe”. Edhe gjatë fjalës së mbajtur me dyer të hapura dhe në prani të medias, Berisha ka zbutur tonet ndaj saj, duke mos e etiketuar rëndë kryeprokuroren me cilësime të tilla si “lavire bulevardi”. Kryeministri sqaroi gjithashtu se, nuk do të ketë konfondim të institucioneve demokratike, me atë që ai e cilësoi “individët puçistë”. E ndërsa ka zbutur etiketimet ndaj Ina Ramës, Kryeministri Sali Berisha ka shpërthyer në akuza ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Berisha mësohet të ketë thënë se Presidenti është ”kreu i puçit”, duke shkuar më tej në qëndrimin e tij. Ai u ka thënë anëtarëve të Këshillit Kombëtar se, “Kryetari i Shtetit kishte organizuar në shtëpinë e tij puçin bashkë me kryetarin e PS-së, Edi Rama, që në fund të muajit gusht”. Ndërsa gjatë fjalës me dyer të hapura, Berisha nuk e ka cituar direkt emrin e tij. “Ne jemi të vendosur të ecim drejt zgjedhjeve të lira, ne jemi të vendosur të kapërcejmë çdo pengesë që puçistët mund të nxjerrin në zhvillimin e tyre, ne jemi shprehur dhe shprehim se ky ishte një grusht shteti, i cili kishte në aparencë një treshe aventuriere të dhunës. Edvin Rama-Gramoz Ruçi-Skënder Gjinushi, por kishte në prapaskenë dhe puçistë të tjerë, të cilët kishin vendosur, që me ëndrrën e mandateve të tyre të vjetëruar dhe përmbysjen e shtetit, të ndalnin votën e lirë. Situata natyrisht është e ndërlikuar, puçistët bëjnë gjithçka për të bllokuar procesin e drejtësisë. Ne jemi përcaktuar qartësisht për një zgjidhje brenda institucioneve të puçit, dhe kjo jo se ne nuk disponojmë të dhëna të plota, se ku u morën vendimet për puçin, se kush ishte në këtë vendimmarrje, se cilat ishin detyrat e puçistëve, se cili ishte qëllimi i tyre më 21 janar, se cili është qëllimi i tyre sot dhe në vazhdim...”, - tha Berisha para mediave. Kryeministri tha gjithashtu se ai kishte informacione që kryeministria do të sulmohej. “Unë e dija se ata do të sulmonin kryeministrinë, i dija të gjitha përgatitjet e tyre, por e dija gjithashtu se do të dështonin me turpin më të madh, siç dështuan, sepse çdo gjë është bazuar në akuzat ndaj votës së lirë të shqiptarëve. Kjo është arsyeja, të dashur qytetarë dhe qytetare, që unë me mijëra e mijëra herë i kam cilësuar ata si bllokmenë të rinj. Por ka edhe një moment të dytë, që fakton të drejtën, të vërtetën, thelbin e tyre po në këtë linjë, shqiptarët në datat 24 e deri më 27 janar panë sesi u rikthye në Partinë Socialiste në raport me komunitetin ndërkombëtarë vitet ‘80 të Partisë së Punës së Shqipërisë, pasi ndërpreu marrëdhëniet me Kinën, paranojaku Enver Hoxha, kishte vetëm një përgjigje, jo, të gjithë botës”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›