E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 Propozimet e Mustafajt për reformimin e PD

SHKRUAN: Nevila Perndoj 07-02-2011 09:49

TIRANË- Ai kishte kohë që nuk i kishte ngjitur shkallët e selisë blu. “Divorci” në fakt ishte zyrtarizuar që para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Por mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që nga Kuvendi i dhjetorit 2009, bëri që ai të mos ishte thjesht një prej anëtarëve që dje do të dëgjonte vetëm kryetarin. Besnik Mustafaj, një nga figurat e rëndësishme të PD-së që nga themelimi i saj, shkoi që në orët e para të mëngjesit në selinë e partisë, para se aty të mbërrinin të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit Kombëtar. Me një dosje në dorë, ai iu drejtua sekretariatit të Këshillit për të bërë gjithçka zyrtare. Mustafaj regjistroi një dokument të sigluar “Memorandum”, për reformimin e Partisë Demokratike. Me këtë hap, ish-Ministri i Jashtëm e fuste në rend dite dokumentin e hartuar, që në fakt një i tillë vjen pas 15 vitesh, që nga promemorja e famshme e 1996 ku Dashamir Shehi, në krye të një grupi anëtarësh i kërkonin Berishës reformimin e partisë në prag të krizës së fajdeve. Ndaj deri në nisjen e Këshillit Kombëtar, aty rreth orës 11:20 të ditës së djeshme, ai drodhi nja dy cigare. Pas fjalës së gjatë të Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, kamerat dhe gazetarët u nxorën jashtë. Burime të besueshme nga mbledhja e Këshillit Kombëtar treguan për gazetën “Mapo” se në fund ishte vetë Berisha, ai që kishte njohur anëtarët e Këshillit me propozimin e Mustafajt. Ai i kishte kërkuar Mustafajit që ta lexonte materialin vetë para anëtarëve. Memorandumi prej katër pikash, bashkë me arsyet e një dokumenti të tillë, u lexuan ngadalë nga Mustafaj dhe në fund ishte sërish Berisha që kërkoi që dokumenti të hidhej në votim. Ky ishte një moment i vështirë për anëtarët në fakt, kur vetë Berisha nuk kishte ngritur dorën për të votuar. Disa sekonda pauzë, dhe Memorandumi mori mbështetjen e vetë Mustafajt dhe deputetit Gazmend Oketa, i cili votoi pro dokumentit. Gjithë të tjerët ishin sy e veshë nga tribuna.

Komenti

Edhe pse votoi kundër një dokumenti të tillë, Berisha nuk la pa e komentuar. Në fakt, në gjithë përmbajtjen e memorandumit të përgatitur, kryetari i PD-së preferoi të reagonte vetëm për një nga pikat që kishte të bënte me mos zgjedhjen nga Këshilli Kombëtar i sekretariatit, kryesisë dhe nënkryetarit. Berisha i kujtoi Mustafajit se ai mund të propozonte një prej posteve të parashikuara në statut, por vetëm pas zgjedhjeve të 8 majit, duke paralajmëruar kështu se nuk do të ketë konstituim të strukturave të larta para zgjedhjeve lokale “...ti do të kesh të drejtë të propozosh kandidatin për Sekretar të Përgjithshëm”, - i tha Berisha ish-ministrit të Jashtëm, një e drejtë në fakt që Mustafajit, ashtu si çdo anëtari tjetër të Këshillit Kombëtar, i takon me statut.

Dokumenti i Mustafajt

Në krye të “Memorandumit”, Mustafaj e tregon hapur se ka një qëndrim të distancuar nga vetë lidershipi i PD-së, që e ka cilësuar ditën e 21 janarit si grusht shteti. Në dokumentin e tij prej 5 faqe, Mustafaj, kur i referohet 21 janarit citon se ajo ditë u shoqërua me ngjarje të dhunshme para kryeministrisë. Nisur nga kjo situatë, por edhe domosdoshmëria e fitores së PD-së në zgjedhjet e afërme lokale, si alternativa më e mirë programore, por edhe ekipi më i mirë, Mustafaj radhiti dje para anëtarëve të Këshillit Kombëtar katër pikat kryesore që lidheshin me respektimin dhe vlerësimin e kontributit të secilit anëtar demokrat, zgjedhjen e organeve drejtuese të partisë, rikthimin e PD-së në identitetin e saj programor e deri tek respektimi i demokracisë së brendshme të partisë, si pjesë e kulturës politike të djathtë, që aspiron çdo parti anëtare e Partisë Popullore Europiane. “Unë propozoj që t’i japim kësaj mbledhje të parë rëndësinë e duhur, duke u shndërruar në një moment refleksioni të thellë vetkorrigjues, jo vetëm për t’u prerë rrugën praktikave të tilla në të ardhmen, por edhe për t’i dhënë krah një frymë të re brenda partisë, ku çdo anëtar i partisë, që nga seksioni i deri tek kryetari, të ndihet plotësisht pjesëtar i një familje politike të shëndetshme, ku bashkimi është vetë me vullnet të lirë dhe ku respektohet dhe vlerësohet kontributi dhe individualiteti i gjithsecilit demokrat”, citoi dje Mustafaj, ndërkohë që në sallë kishte pllakosur heshtja. Duke iu drejtuar direkt Berishës, i cili hera-herës e shkëpuste shikimin edhe nga salla, Mustafaj tha gjithashtu se që prej Kuvendit Kombëtar të PD-së, në këtë parti, i vetmi zyrtar i ligjshëm është kryetari dhe Astrit Patozi, i cili në bazë të statutit, duke qenë kryetar i grupit parlamentar, është automatikisht edhe nënkryetar i partisë. “Nuk kemi pasur pra de juro dhe as de fakto, as kryesi të partisë, as sekretar të përgjithshëm, as sekretariat dhe as gjykatë të partisë. Distanca institucionale e krijuar gjatë kësaj periudhe, midis kryetarit të partisë dhe vetë partisë, është jashtëzakonisht e madhe dhe për pasojë edhe në dëm të madh për demokracinë brenda partisë”, - tha Mustafaj. Për këtë arsye, ai propozoi, që me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, PD-ja të zgjedhë organet drejtuese të partisë. “Të kërkojmë prej tyre, ti përvishemi punës për të rivendosur në parti frymën e munguar të kolegjialitetit demokratik, me ndjenje të lartë përgjegjësie nga secili anëtar i Këshillit Kombëtar”, - tha ai. Për pasojë, Mustafaj i bëri thirrje të gjithë kolegëve anëtar të Këshillit Kombëtar, që në votimin e tyre të kenë parasysh interesat e Partisë Demokratike, “dhe jo parapëlqimet subjektive nga njerëzit tanë me pushtet në ekzekutiv”. Mustafaj kujtoi gjithashtu se me mënyrën e saj të funksionimit, ose të mosfunksionimit gjatë kësaj periudhe të gjatë, PD-ja është larguar dukshëm nga modeli i partive të djathta europiane. Ai citoi gjithashtu se në praktikën e ushtrimit të pushtetit vërehet se PD-ja ka një largim gradual, por të vazhdueshëm nga identiteti i saj, si parti e qendrës së djathtë. Andaj, Mustafaj theksoi se veçanërisht dy shtresa, si ish-të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët kanë humbur entuziazmin dhe mbështetjen e PD-së. Dokumenti i lexuar nga Mustafaj është shoqëruar në heshtje nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, ndërkohë që po për këtë dokument, të paktën publikisht, dje nuk pati asnjë koment, përveç votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›