E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, organet drejtuese vetëm pas zgjedhjeve vendore

TIRANË- Kryesia e Partisë Demokratike, sekretariati, nënkryetari, kryetari i Bordit Financiar të partisë dhe Komisioni Qendror i Apelimit do të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar, vetëm pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Askush në fakt në PD nuk të jep një përgjigje të saktë se kur do të zgjidhen organet drejtuese të partisë, por shumica prej tyre, teksa i janë referuar fjalës së djeshme të Kryeministrit, Sali Berisha, në mbledhjen me dyer të mbyllura janë shprehur se këto struktura do të zgjidhen vetëm pas zgjedhjeve lokale. Kryeministri Berisha, në fjalën me dyer të hapura, nuk përcaktoi një kohë se kur do të zgjidheshin strukturat, ndërkohë që u përqendrua së tepërmi vetëm në përgatitjet për zgjedhjet lokale. Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e 8 majit dhe më pas dorëzimin e tyre në organin qendror të partisë, duke shprehur besimin se e tërë anëtarësia e PD-së, mbështetësit dhe simpatizantët e saj, do të përzgjedhin kandidaturat për kryetar të bashkive dhe komunave, “nga burrat më të mirë, më të zotë e më të ndershëm, me një program të qartë për zhvillimin e vendit dhe me një koalicion të konsoliduar”. Kryeministri Berisha u shpreh gjithashtu se opozita po përpiqet të bllokojë procesin elektoral. “Shokët e bulevardit, kështu po i quaj, po bëjnë gjithçka për të bllokuar këtë proces, sepse kanë tmerr e frikë nga vetja e tyre. Ata që përpiqen të bllokojnë procesin, të cilët e kërkojnë çdo shqiptar, çdo ndërkombëtar, ata vetëm sa e provojnë se cili ka qenë qëllimi i tyre më 21 janar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›