E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat kryesore të Memorandumit të Besnik Mustafajit

1.

Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë kolegjial i analizës politike, i hartimit të politikave programore vendimmarrjes së vendimeve politike të PD-së ka qenë krejtësisht jashtë funksionit të tij, qysh nga fillimi i mandatit tonë të dytë qeverisës...

Unë propozoj që t’i japim kësaj mbledhje të parë rëndësinë e duhur, duke u shndërruar në një moment refleksioni të thellë vetkorrigjues, jo vetëm për t’u prerë rrugën praktikave të tilla në të ardhmen, por edhe për t’i dhënë krah një frymë të re brenda partisë, ku çdo anëtar i partisë, që nga seksioni i deri tek kryetari, të ndihet plotësisht pjesëtar i një familje politike të shëndetshme, ku bashkimi është vetë me vullnet të lirë dhe ku respektohet dhe vlerësohet kontributi dhe individualiteti i gjithsecilit demokrat.

2.

Qysh nga Kuvendi i fundit Kombëtar, para 14 muajsh, e deri më sot, ne si parti në përputhje me statutin tonë kemi të ligjshëm vetëm kryetarin e partisë, i cili është zgjedhur nga Kuvendi dhe nënkryetari e partisë, z.Patozi, i cili me statut duke qenë kryetar i grupit parlamentar është ex oficio edhe nënkryetar i partisë. Nuk kemi pasur pra de juro dhe as de fakto, as kryesi të partisë, as sekretar të përgjithshëm, as sekretariat dhe as gjykatë të partisë. Distanca institucionale e krijuar gjatë kësaj periudhe, midis kryetarit të partisë dhe vetë partisë, është jashtëzakonisht e madhe dhe për pasojë edhe në dëm të madh për demokracinë brenda partisë...

Unë propozoj që ne sot, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, të zgjedhim organet drejtuese të partisë dhe të kërkojmë prej tyre t’i përvishemi punës, për të rivendosur në parti frymën e munguar të kolegjialitetit demokratik, me ndjenjë të lartë përgjegjësie nga secili anëtar i Këshillit Kombëtar... Ju bëj thirrje të gjithë kolegëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, të kenë parasysh interesat e Partisë Demokratike dhe jo parapëlqimet subjektive nga njerëzit tanë me pushtet në ekzekutiv.

3.

Në praktikën e ushtrimit të pushtetit, vërej se PD-ja ka një largim gradual, por të vazhdueshëm, nga identiteti i saj si parti e qendrës së djathtë...

E keqja e një partie të tillë, pa fizionomi dhe pa identitet politik, në ushtrimin e pushtetit shfaqet në modelin inkoherent të shtetit që na takon të ndërtojmë dhe jo vetëm kaq. Ky eklektizëm identitar ka dobësuar ndjeshëm lidhjet e partisë sonë me shtresat shoqërore, të cilat për arsye parimore, duhet të jenë mbështetja jonë kryesore. Ndër to, do të veçoja ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët dhe biznesin e madh dhe më e pakta që mund të thuhet për këto dy shtresa është se kanë humbur entuziazmin dhe mbështetjen tonë. Pra unë propozoj që kjo mbledhje e vonuar e Këshillit tonë Kombëtar, të ndërmarrë çeljen e një debati të gjerë brenda partisë për identitetin e saj...

4.

Me mënyrën e saj të funksionimit, ose të mosfunksionimit, gjatë kësaj periudhe të gjatë, PD-ja është larguar dukshëm nga modeli i partive të djathta europiane... Anëtarësimi në PPE kërkon nga secili anëtar i partisë sonë dhe veçanërisht nga ne, që jemi në drejtimin e saj, të mbajmë vazhdimisht lart vlerat e shenjta mbi të cilat mbështetet e djathta politike europiane...

Unë propozoj sot që kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të përcaktojë si objektiv madhor ndërmarrjen e reformave urgjente brenda partisë, për ta modernizuar dhe demokratizuar atë që të jemi në lartësinë e PPE-së. Vetëm duke modernizuar dhe demokratizuar partinë, ne të vjetrit e partisë do të ndihemi të rinj me përvojën tonë dhe vetë partia do të bëhet thellësisht atraktive për masën e madhe të rinisë shqiptare...

Ne duhet të provojmë para shqiptarëve se jemi në pushtet, jo pse kemi përballë një opozitë të keqe dhe pa alternativë, por se PD-ja në vetvete, jashtë krahasimit me kundërshtarin, është forca politike më e denjë, më vitale, më moderne për ta qeverisur vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›