Berisha: Edi Rama do të dalë jashtë nga skena politike, do ketë fatin e Ramiz Alisë
“Edi Rama, në planin e përgjithshëm urbanistik, mendon se mund te hakmerret për Ramiz Alinë kundër jush. Harroje Edi Rama, fatin e Ramizit do të kesh edhe ti. Të paktën Ramizi hyri në garë dhe pati Vaterlonë këtu, kurse atij s’ia mban as në garë të futet. Në 28 qershor ai firmos fundin e karrierës së tij politike”.
Kryeministri Sali Berisha vijon turet intensive elektorale, duke u ndalur fillimisht në një takim me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 8 në Tiranë. Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e qytetarëve të kësaj njësie, të cilët historikisht kanë votuar Partinë Demokratike. Berisha u shpreh se qytetarët që shembën nga pushteti Ramiz Alinë, po përballen me një hije të tij, siç është Edi Rama, që synon të penalizojë qytetarët, për hir të diktatorit. “Që në ditët e para të kalimit të Partisë Demokratike, ju qëndruat në krye të përpjekjeve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të saj. Këtu në këtë lagje diktatura mori goditjen fatale. Edi Rama, në planin e përgjithshëm urbanistik, mendon se mund te hakmerret për Ramiz Alinë kundër jush. Harroje Edi Rama, fatin e Ramizit do të kesh edhe ti. Të paktën Ramizi hyri në garë dhe pati Vaterlonë këtu, kurse atij s’ia mban as në garë të futet. Në 28 qershor ai firmos fundin e karrierës së tij politike”, u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë përmendi se katër vitet që po mbyllen ishin vitet e suksesit. “Ia dolëm ta kthejmë Shqipërinë në një vend shprese, në një vend gëzimi për shqiptarët në mbarë botën. Ia dolëm së bashku, në katër vjet, që ky vend të ngrihet në krye të rritjes ekonomike në Evropë, të bëhet një nga vendet me rritje më të shpejtë në botë. Në katër vjet, pothuajse dyfishuam të ardhurat për frymë, dyfishuam pensionet e ulëta, dyfishuam rrogat e ulëta, rritëm të tjerat 50 – 70 për qind. Në katër vjet, e bëmë Shqipërinë vend lider për investimet e huaja. Në katër vjet, para shqiptarëve dhe mbarë botës, ne po ndërtojmë në këtë vend një nga infrastrukturat më moderne në rajon dhe më gjerë”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se në katër vjet Partia Demokratike hodhi bazat e Shqipërisë evropiane, ndërkohë që vitin e parë të mandatit të dytë, qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë në mbarë hapësirën Evropën. “Aplikuam për vend anëtar në Bashkimin Europian. Vitin e parë të mandatit tonë të ardhshëm, do marrim të drejtën për të lëvizur në mbarë Evropën pa viza”, tha Berisha. Çështja e punësimit, ishte një tjetër pikë ku u ndal kryeministri, duke ritheksuar se hapja e 160 mijë vendeve të reja të punës, është pika themelore e programit të PD-së. Për sa i takon rritjes së pagave dhe pensioneve, Berisha premtoi se mandatin e ardhshëm ato do të njohin rritje të reja. “Unë dhe qeveria e ardhshme do të bëjmë çdo gjë që ju të merrni më shumë rroga e pensione se qytetarët e gjashtë vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian. Ne e meritojmë këtë. Ne vuajtëm shumë nga varfëria, vuajtëm shumë nga skamja dhe me shpejtësi duhet të shkëputemi, të ecim drejtë mirëqenies”, u shpreh kryeministri.
...